Basha: Koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani, PD sjell ndryshimin
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar takimet me qytetarët, këtë herë në qytetin e Pogradecit. Teksa dita ku do zgjidhet kryetari i PD-së së vulës po afron, Basha thotë se me të në krye PD-ja do kthehet sërish në alternativë, dhe për këtë do duhet të hapen letrat e të tregohet pasuria e çdo politikani.
Postimi i plotë
Sot është koha t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së diasporës. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi, bashkë me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, për të bërë të mundur këto ndryshime, duke kërkuar edhe referendum. Sot është e qartë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë dhe duan që Shqipëria të mbetet në duart e tyre, janë kundër vetting-ut, janë kundër llogaridhënies për pasuritë e tyre dhe lidhjet me krimin, që përdorin në çdo palë zgjedhje.
Mjafton të shihen dosjet e korrupsionit të Ahmetajt, ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës për të kuptuar si i vjedhin paratë e shqiptarëve, si e përdorin krimin për të blerë zgjedhjet, si kriminelët përcaktojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, si shteti i tyre funksionon si një organizatë kriminale. Sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Të shohim a i justifikojnë apo jo! Sot është koha që shqiptarëve t’u japim mundësinë të zgjedhin përmes votës se drejtpërdrejt deputetët e tyre.
Partia Demokratike mund dhe do ta sjellë këtë ndryshim, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetues që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.