Basha: Krimi pushton Shqipërinë, Rama nxjerr zhgarravina për të thënë se rendi u vendos
Anashkalimi i kërkesës së PD-së për referendumin popullor për mbetjet dhe fokusimi kryeministrit Edi Rama tek reforma në drejtësi dhe situata e rendit e sigurisë në vend gjatë fjalës në Kuvend, ka shkaktuar reagimin e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Sipas kryedemokratit, Rama u tall me 3 jetë të humbura, “si të ishin dele e jo njerëz. Kur 3 shtetas u vranë, Rama tha se po vendos rendin” shkruan Basha.
Reagimi i plotë i Bashës
“Kur 3 shtetas u vranë me armë, dje Edi Rama nxorri një zhgarravinë duke thënë se po vendos rendin, se numri i vrasjeve është ulur. U tall me 3 jetë të humbura, si te ishin dele e jo njerëz dhe u mburr me atë që është dështimi i tij i madh. Sepse rendi nuk ekziston. Rend nuk ka. Ka sundim të bandave, ka konflikt dhe vrasje me armë. Këtë pasiguri ekstreme e ka mbjellur ai në Shqipëri, me kanabizimin e vendit, me sprapsjen e ligjit, me rreshtimin e tij dhe Tahirit në krah të krimit.
Dita sot nis me dy të vrarë, një në Shkodër dhe një në Korçë. Ndërkohë dje policia me urdhër të Ramës e Tahirit i ka bërë rezistencë drejtësisë, duke penguar hetimin e duke mbrojtur 11 tonelata me drogë në Vlorë. Një bandit i qeverisë i del para prokurorit me armë në dorë në Mat duke i prerë rrugën drejt parcelave me kanabis.
Ky është shteti i Edi Ramës, ndërkohë që ai llomotit në Kuvend për drejtësinë. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Shqipëria do jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën”- shkruan Basha.
KOHA JONË SONDAZH

