Basha kritika Ramës: Luftë ndaj fjalës së lirë, po tenton të fshehë dështimet përmes censurës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se paketa “anti-shpifje”, të cilën qeveria synon ta miratojë në Kuvend nuk është gjë tjetër, por një luftë frontale kundër “fjalës së lirë”. I pranishëm në aktivitetin e përvitshëm të Akademisë Politike, Lulzim Basha theksoi  se kryeministri Edi Rama synon të fshehë dështimet e tij përmes kontrollit dhe censurës ndaj medias.

“Nuk ka demokraci pa liri fjale. Kjo qeveri dhe ky kryeministër do të paraqesin të mërkurën dy projektligje që janë shpallje lufte ndaj fjalës së lirë. Asgjë nuk është e rastësishme. Kjo qeveri do të fshehë abuzimet e saj përmes censurës së medias, ja pse i duhet paketa e ashtuquajtur anti-shpifje. Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, kemi zbritur 8 vende gjatë viti të fundit, duke e futur Shqipërinë në të njëjtin vend me Kolumbinë e Tailandën. Kjo qeveri sjellë vetëm papunësi, emigracion dhe korrupsion dhe kjo është e vetmja gjë që Rama do të mbulojë me paketën e ashtuquajtur anti-shpifje.Nismat ligjore për të penguar lirinë e shprehjes kanë vetëm një qëllim: të manipulojnë,  të mbajnë të fshehur situatën e rëndë ku ndodhet Shqipëria “-tha Basha.

Kreu i opozitës theksoi edhe njëherë se kushtet e vendosura nga Bundestagu janë udhërrëfyesi për të  nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike, ku ajo ndodhet.

“Nëse nuk arritëm të sigurojmë votën e lirë, asnjëherë nuk do të kemi qeveri të përgjegjshme, prandaj beteja jonë për votën e lirë është jetike për mirëqenien e  qytetarëve, por edhe bashkimin e Shqipërisë me BE. Sot është koha për ta thënë qartë se kemi humbur shumë mundësi këto vite, sepse veç miliardave, Shqipëria ka humbur 6 vite. Kushtet e Bundestagut janë udhërrëfyesi ynë. Koha nuk pret. Me show e propagandë nuk ja hedh dot as Merkel as Macron. Është urgjente të nisë koha sa më parë, pasi koha është e shkurtër për plotësimin e kushteve të Bundestagut”, shtoi kreu i PD.

SHKARKO APP