Basha kryebashkiakëve të djathtë: Fituat, pavarësisht manipulimit!
Kryetarët e Bashkive, përfaqësues të Partisë Demokratike, ishin prezent në takimin e thirrur nga Lulzim Basha, pasditen e sotme në selinë e partisë më të madhe opozitare.
Pasi i ka përgëzuar kandidatët për fitoren e arritur më 21 Qershor, Basha ka theksuar se fitoret kanë ardhur në një garë të pabarabartë pasi sipas tij procesi ka qenë i manipuluar.
“Zgjedhjet që lamë pas duhet të ofrojnë zgjidhje për qytetarët dhe jo mbajtje me çdo kusht të pushtetit dhe ndaj me ju mendimin e mijera votuesve se fitoret tuaja janë të çmuara, sepse janë arritur në kushtet e një procesi të manipuluar dhe të një gare të pabarabartë.
Në këtë kuptim, fitoret tuaja janë një trumf i lirisë e i bashkimit të qytetarëve, që treguan votëbesimin ndaj jush”, theksoi kryetari i PD-se, Basha.
Sipas tij, blerja e votave e angazhimi kriminal s’mposhti demokracinë", tha Basha, ndërsa ka shtuar se mazhoranca garoi me kandidatë të inkriminuar, dhe se Rama nuk u tërhoq.
“Ju i keni dhënë qytetarëve besimin dhe sigurinë që do t’u shërbeni qytetarëve 24 orë në ditë pa asnjë dallim, duke qenë në dispozicionin e tyre për t’i dëgjuar dhe qarë hallet me ta, pa arrogancë dhe hipokrizi, por me përkushtim dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkujdesje ndaj qytetarëve.
Të gjitha këto zotime presin të përmbushen nga dita e parë e ditës suaj dhe deri ditën e fundit të mandatit.
Dua ta theksoj se për Partinë Demokratike lidhet gjithcka me pushtetin vendor në funksion të shërbimit të qytetarëve dhe jo ndaj politikave”, tha Basha.
Më tej kreu i opozitës deklaroi se nuk po mbahet premtimi për decentralizimin duke krijuar sipas tij kaos dhe udhëkryq në pushtetin vendor me qëllim nga Rama.
“Pas territoriales u premtua ligji i decentralizimit, ku është? Kaos dhe udhëkryq në pushtetin vendor me qëllim nga Rama”, tha Basha.
Në lidhje me takimin që Rama zhvilloi paradite me kryebashkiakët e rinj, ku përveç kryebashkiakut të Përmetit dhe atij të Dropullit asnjë prej kryebashkiakëve të tjerë që garuan nën siglën e PD nuk mori pjesë, Basha e cilësoi si një shfaqje të shëmtuar.
“ Shfaqja e sotme e Ramës, ishte e shëmtuar dhe me mentalitet feudal.
Rama nuk respekton kryetarët e bashkive, i trajton ata si vartës”, u shpreh kreu demokrat.