Basha kushte Ramës, kërkon reformë Zgjedhore dhe Territoriale
Ende pa nisur punë Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, PD-ja tregon se ka kushte për qeverinë ”Rama 3”. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar, kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij tha se ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve ndaj theksoi se vendi ka nevojë për Reformë zgjedhore dhe Territoriale.
Ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 u bënë nga një konsensus i arritur mes Sali Berishës që në atë kohë ishte kryeministër dhe Edi Ramës në opozitë.
Thelbi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor në vend, duke kaluar nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e shumicës së deputetëve në një sistem rajonal proporcional që është ende sot në fuqi.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor u bë me konsensus PD-PS, pas ardhjes në pushtet Rama miratoi në mënyrë të njëanshme ligjin për reformën territoriale duke e kthyer vendin me 61 bashki.