Basha: Mbi 70% e shqiptarëve pa asnjë ndihmë ekonomike, bizneset drejt falimentit
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbritur sërish në terren, ndërsa është takuar me disa qytetarë, me të cilët ka folur për situatën ekonomike për shkak të COVID-19.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se “faturat dhe taksat e larta, rënia drastike e konsumit por edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e qeverisë Rama po e çojnë biznesin në kolaps dhe qytetarët drejt varfërisë së pashmangshme”.
Postimi i plotë i Bashës
Sa më shumë qytetarë takoj aq më prezent bëhet shqetësimi për rrënimin e ekonomisë shqiptare. Faturat dhe taksat e larta, rënia drastike e konsumit por edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e qeverisë Rama po e çojnë biznesin në kolaps dhe qytetarët drejt varfërisë së pashmangshme. Sot në Shqipëri ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës nga Rama, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Të rinisësh normalitetin pa strategji dhe pa ndihmë konkrete siç bën Rama do të thotë t’i çosh qytetarët drejt krizës së thellë ekonomike dhe greminës së mjerimit.
Pandemia ekonomike ka prekur shumicën e familjeve shqiptare që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Dhe jo për fjalë dhe show në Facebook.
Mbi 70% e shqiptarëve janë sot pa asnjë ndihmë ekonomike dhe pa të ardhura. Ndërsa vendi zhytet në varfëri Rama vazhdon të mendojë vetëm për karrigen dhe xhepat e tij dhe të 10 oligarkëve, klientë të tij.