Basha mbledh Këshillin Kombëtar, ja emrat e propozuar për sekretarin e Përgjithshëm dhe nënkryetarët
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur ditën e sotme Këshillin Kombëtar, ku pritet të zgjidhet sekretari i Përgjithshëm i partisë dhe nënkryetarët e rinj.
Enkelejd Alibeaj do të zëvendësojë Gazmend Bardhin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.
Xhemal Bushati propozohet për kryetar të Këshillit Kombëtar, ish kandidati i PD-së në garën për Shkodrën në zgjedhjet e pjesshme të vitit të kaluar.
Nënkryetarë propozohen
Flutura Açka
Kreshnik Çollaku
Orjola Pampuri
Roland Bejko
Jemin Gjana kryetari i Komisionit Zgjedhor.
Në fjalën e tij nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se pas Kuvendit Kombëtar, numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë.
“Humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme personale të pak politikanëve. Detyra jonë të jemi në shërbim të qytetarëve, të Shqipërisë.
Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar, hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimi i forumeve statutore të partisë. Ky hap i jep hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë parësore, ajo e të qenurit në shërbim të demokratëve, të qytetarëve, të Shqipërisë.
Ne e dimë që në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban në politikë, madje kemi sakrifikuar shumë të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë në këtë familje të madhe.
Por kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, të gjithë humbasim”, tha ndër të tjera Basha.