Basha mbledh Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar
Gjatë ditës së sotme Partia Demokratike do të mbledhë forumet më të larta vendimmarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga 2 ndihmës.
Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore.
Ky Komision bën vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile. Sipas burimeve nga selia blu kjo do të thotë se interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re.