Basha mbledh Kuvendin Kombëtar të PD-së: Do merren vendime të rëndësishme për të ardhmen
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka njoftuar ditën e sotme se në datën 2 shtator PD do mbledhë Kuvendin Kombëtar për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e saj.
Basha zbuloi se do mbledhë Kuvendin Kombëtar të demokratëve gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të Qarkut Fier.
Postimi i plotë:
Në 2 Shtator Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e saj.
Me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të Qarkut Fier, nisëm përgatitjen për hapat e rradhës që do ta kthejnë forcën tonë politike në zërin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin dhe një alternativë më të mirë që të sfidojë qeverinë e korruptar të Edi Ramës.
Partia Demokratike mundet dhe do ta bëjë këtë, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve.
✅ Listat e hapura;
✅ Vetting-u në politikë;
✅ Kufizimi i mandateve;
✅ Vota e diasporës;
✅ Zgjedhja e Presidentit nga populli.
Përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, ne mund ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, duke bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjesht rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë.