Basha mbledh në orën 18:00 kandidatët për deputetë, Alibeaj zbulon axhendën
Një ditë pasi mblodhi krerët e degëve të PD-së dhe të gjithë strukturën e partisë në selinë blu, Lulzim Basha do të zhvillojë sërish sot një tjetër mbledhje, këtë herë me kandidatët që fituan e jo mandatin e deputetit.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, kandidati që fitoi mandatin e deputetit, Enkelejd Alibeaj tha se në orën 18:00, në selinë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, do të zhvillohet një takim mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet e 25 prillit.
Po ashtu, Alibeaj tha se gjatë mbledhjes do të diskutohet për abuzimet që janë bërë nga pushteti, në blerjen e votës, angazhimi i administratës në fushatë, por edhe tenderat e lëshuara në katër muajt e fundit, gjë e cila sipas tij, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë të ndaluara.
”Do të diskutohet që është argument bisede në çdo familje shqiptare, ajo që ndodhi në 25 prill. Fakti publik për këdo që ajo që duhet të ishte një proces zgjedhor, ku do të shprehej vullneti i popullit, të mund të lexohej e tillë dhe të kishim një rezultat të gjithëpranuar që të shprehte dhe të profilizonte shkallën e parë themelore të një qeverisje legjitime. Kjo është tema që do të diskutohet. Kjo është njëra, por ky proces faktmbledhës ka nisur prej kohësh tek PD. Është ngritur një grup ligjor dhe një grup që ka marrë të dhënat në vazhdimësi. Duke e ditur parashikuar, të asaj që do të ndodhte, ne kemi pas ngritur një grup që jo vetëm jepte udhëzimet përkatëse, por paraqiste provat që kanë ndodhur për shumë muaj me radhë”.