Basha: Më 25 prill do çlirojmë Shqipërinë nga pengmarrja
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po zhvillon në selinë blu një takim me të rinj studentë në universitetet e huaja dhe sipërmarrës. Gjatë fjalës së tij Basha tha se ky takim bëhet në kuadër të një bashkëbisedimi për të dëgjuar se e shohin ata të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Synimi kryesor i imi, ndryshimit t’i japim fytyrën e rinisë shqiptare. Thelbi i ekonomisë së tregut, konkurrenca. Problemi kryesor i ekonomisë, monopolizimi. Pa konkurrencë nuk mund të ketë rritje ekonomike. Ata që duhet të garantojnë konkurrencën, e kanë vrarë atë. Sistemi ekonomik duhet rindërtuar. Objektivi i parë i planit tonë ekonomik, rikthimi i konkurrencës. Objektivi i dytë, kthimi i Shqipërisë në një vend konkurrues në rajon. Stimulimi i start up-eve të reja, një instrument kryesor zhvillimi. Mbështetja e sipërmarrjes rinore me skema financimi, plotësisht e mundshme”, tha kreu i PD.
Basha shtoi se të rinjtë do të sjellin ndyshimin pas 7 vitesh dështim të qeverisë aktuale. “Shqipëria është me fat që të rinjtë më të talentuar kthehen ta ndihmojnë. Kur u jepen mundësitë, të rinjtë shqiptarë performojnë më mirë se të rinjtë europianë. Një qeveri e dështuar prej 7 vitesh duhet të shkojë, të sjellim ndryshim. Ndryshimi mund të vijë vetëm nga bashkimi kundër të keqes. Potenciali numër 1 mbetet rinia shqiptare. Të rinjtë shqiptarë, segmenti më i arsimuar në perëndim. Largimi i pushtetit të dështuar, urgjencë kombëtare. Duhet ta bëjmë rregull që askush të mos kërkojë mbi 2 mandate. Kufizimi në 2 mandate i hap rrugën qarkullimit të elitës”,- u shpreh ndër të tjera kryedemokrati Lulzim Basha.
Kreu i PD-së gjatë takimit u shpreh se nga zgjedhjet e 25 prillit presim ta çlirojmë Shqipërinë nga pengmarrja. “Pagat rriten vetëm duke rritur ekonominë. Plani ynë ekonomik, taksë e sheshtë 9%, heqjen e taksës së karburantit. Shqipëria me karburantin më të shtrenjtë në Europë. Taksa “Rama” e shtrenjtoi karburantin. Reduktimi i tatimeve dhe taksave, rritje automatike e pagave. Ulja e taksave, nxit inovacionin dhe rritjen ekonomike. Plani ynë ekonomik, zgjerimi i shtresës së mesme. Shtresa e mesme, një fuqi shoqërore që garanton demokracinë. Më 25 prill presim ta çlirojmë Shqipërinë nga pengmarrja. Ndihmë për rininë, për një ekonomi që rritet. Nuk rritet paga me VKM. Premtimi i Ramës për pagë minimale, premtim i rremë i radhës. 25 prilli, dita e çlirimit të pozitivitetit, normalitetit. 25 prilli, rikthim i fytyrës njerëzore të politikës. Politika ka humbur fytyrën njerëzore”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.