Basha me demokratët e Fierit: Të dielën sytë e shqiptarëve do jenë përsëri drejt PD-së, si e vetmja shpresë
Lulzim Basha zhvilloi sot një me demokratët e Fierit, nga ku u shpreh se të dielën sytë e shqiptarëve do jenë përsëri drejt PD-së, si e vetmja shpresë për demokracinë dhe ndryshimin që njerëzit duan.
Basha theksoi se nga kjo garë demokratet do të dalin më të bashkuar dhe më të vendosur për të vazhduar betejën.
Ai tha se nuk do të rrëzohet demokracia, nuk do të rrëzohet Shqipëria, por do rrëzohet regjimi “Rama-Doshi”.
KOMUNIKIMI ME DEMOKRATËT E FIERIT
Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, demokrate dhe demokratë të Fierit, faleminderit nga zemra! Jam i nderuar, i privilegjuar dhe i gëzuar që jam sot përsëri në mesin tuaj dhe jam dyfish i privilegjuar që garën e brendshme një anëtar, një votë për kryetarin e Partisë Demokratike, ta mbyllim së bashku sonte këtu në Fier.
Të dashur miq, ky qark ishte tepër i madh për tu mbuluar në një ditë dhe këtu e kam fjalën, natyrisht, për shtrirjen territoriale, po qarku i Fierit dhe degët e këtij qarku u bënë edhe më të mëdhenj gjatë masakrës zgjedhore të 25 prillit ku i treguan fierakëve, mallakastriotëve, qytetarëve të Patosit dhe të Roskovecit, të Lushnjës dhe të Divjakës se edhe aty ku kundërshtari politik mendon se ka folenë, demokratët qëndruan, bënë betejë dhe fituan.
Sepse përkundër masakrës zgjedhore, anembanë Fierit, sikundër anembanë Shqipërisë, ju vendosët zemrat tuaja, vendosët pasionin tuaj për liri dhe demokraci përballë makinerisë më mizore të masakrës zgjedhore, elektorale që ka vënë ndonjëherë në punë ndonjë forcë politike jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan. Vëllezër dhe motra, bashkimi i zemrave tuaja bëri të mundur që në këtë betejë dega e Fierit, sikundër demokratët anembanë Shqipërisë, të arrinin të sheshonin mosmarrëveshjet, ju ditët t’i linit ato mënjanë dhe të bashkoheshit, sepse kjo familje politike ka një mision për të cilin ka lindur, t’i dal zot Shqipërisë, t’i dal zot shqiptarëve.
U futët në këtë betejë të gjithë bashkë të vendosur për ndryshimin, për misionin me të cilin na ngarkuan shqiptarët.
I qëndruat besnik vlerave tona. Që nuk u dhatë për asnjë çast para të zezës, para të keqes, para anti-vlerave. Që zbritët në mejdanin e një beteje të pabarabartë siç e dinim që do të zhvillohej, duke patur përballë jo thjesht një makineri të partisë shtet të përforcuar nga bandat dhe paratë e oligarkëve e të korrupsionit shtetëror, por duke patur përballë një kundërshtarë politik si Edi Rama, i cili prej ditës së parë demokratët, opozitarët nuk i konsideron kundërshtarë, por armiq dhe si të tillë i ka trajtuar demokratët fierakë, si armiq në jetët tuaja private, duke ju shkatërruar normalitetin e jetës, normalitetin e fëmijëve tuaj duke u përpjekur të asgjësojë shpresën për një të nesërme.
Unë e di sakrificën tuaj, e di se është e pamundur jo në një, por në dhjetë fjalime të rrëfehet se çfarë do të thotë kjo për ju dhe familjet tuaja, e di dhe e njoh edhe forcën e zemrës tuaj, e cila ju solli në këtë betejë jo sepse ishit të detyruar, por sepse ishit të vendosur për të bërë gjithçka, jo thjeshtë për tu hakmarrë ndaj një kundërshtari barbar, harbut dhe të korruptuar, por për të marrë të drejtën në emër të çdo qytetari fierak, në emër të çdo qytetari shqiptar, në emër të Shqipërisë dhe në emër të demokracisë. Dhe fierakët e ndjenë se Partia Demokratike ndodhej në këtë betejë jo për veten e saj, jo për karrigen time, as për karriget tuaja, por se ishte aty si shpresa dhe garancia e vetme për të bërë ndryshimin që kaq shumë e deshën me 25 prill. Dua të them po kështu se betejat e jashtëzakonshme që kemi zhvilluar së bashku gjatë këtyre viteve e në veçanti vitet e fundit, faktuan jo vetëm vendosmërinë dhe qëndresën tuaj por faktuan besimin e qytetarëve se beteja bëhej për ta.
Me sakrificat tona deri me sakrificat sublime, deri me djegien e mandateve për të nxjerrë para shqiptarëve dhe para botës regjimin e vërtetë dhe për tu mos u bërë fasadë e atij regjimi. Deri në betejën tonë epike kundër makinerisë masakrës zgjedhore ne provuam dhe faktuam se jemi ata që ishin në dhjetorin e 1990, jemi njerëzit e vlerave, jemi njerëzit e lirisë të demokracisë. Ne faktuam forcën tonë që e projektuam më së miri duke trokitur derë më derë me një program real dhe realist i cili jepte zgjidhje të jashtëzakonshme që Edi Rama dhe banda e tij e babëzitur e të korruptuarve dhe horrave, i shtoi dhe i shtroi këmbëkryq në shtëpitë e shqiptarëve, duke ia zbrazur sofrat duke ia boshatisur xhepat dhe duke ia larguar rininë dhe fëmijët nga vatrat e tyre.
Vëllezër dhe motra, masakra zgjedhore nuk është frazë po është realitet. Ajo e diferencon 2021 nga çdo proces tjetër i këtyre 30 viteve, ai është arrestimi i demokracisë , është faktikisht ndalja e përkohshme e mekanizmit bazë të demokracisë që është respekti i vullnetit të shumicës. Me 25 prill, shumica është dhunuar, pakica përkohësisht ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky nuk është më një vend demokratik, ky është një regjim dhe ne sot kemi mbi supet tona dy detyra. Të parën, që shqiptarët kanë besuar, që e deshën me 25 prill dhe e duan akoma më shumë sot që janë edhe më të dëshpëruar, edhe më të pashpresë, ndryshimin e Fierit, ndryshimin e Shqipërisë, për të cilën vetëdija, programi dhe vendosmëria jonë e 25 prillit, dha rezultat ehe për të cilën kemi akoma vetëdijen për të ecur përpara por misioni bazë i kësaj partie sot është dhe misioni me të cilin ka lindur kjo familje e madhe, kjo parti e madhe demokratike. Është misioni i rikthimit të demokracisë sepse në momentin që ky regjim asgjëson vullnetin e shumicës, nuk ka rrugë tjetër përveç përballjes me të, betejës me të, me një objektiv, rrëzimin e regjimit.
Ndaj, sa i përket qëndrimeve, të cilat do të përcaktojnë fatin tonë politik, më lejoni pa vonesë të përsëris tani duke ju parë në sy, atë që keni dëgjuar prej ditës së parë nga goja ime përmes medias. Unë nuk i njoh dhe nuk e pranoj si legjitime masakrën zgjedhore të 25 prillit dhe rezultatin e tjetërsuar, e konsideroj atë të paligjshëm dhe ilegjitim.
Miqtë e mi, misioni i rrëzimit të regjimit do të thotë angazhim në një betejë, në një betejë të përditshme, në një betejë në të gjitha fushat dhe format. Edi Rama bën sikur shtrin dorën për bashkëpunim , me dorën tjetër heq mësuesit dhe mësueset e fierit, personelin shëndetësor vetëm se ka marrë pjesë në fushatën elektorale apo ka marrë pjesë në aktivitetet elektorale të Partisë Demokratike apo vetëm se është demokrate apo demokrat. Vazhdon të godas sipërmarrjen. Ka shkuar të marrë TVSH që premtoj që nuk do ta merrte. Godet banesat dhe i lë pa çati të mjerët dhe me dorën tjetër kërkon bashkëpunim, bën sikur kërkon bashkëpunim. Përgjigja ime ndaj kësaj po kështu është e qartë dhe pa asnjë ekuivok, një Jo e prerë dhe finale.
Dora e Edi Ramës është e mbushur me helmin e bashkëfajësisë. Të rrokësh atë dorë do të thotë të shkelësh mbi sakrificën tuaj. Të rrokësh atë dorë do të thotë të pranosh masakrën zgjedhore dhe rënien e demokracisë. Të rrokësh atë dorë do të thotë të bëhesh bashkëfajtor. Nuk ka bashkëpunim me Edi Ramën, ka vetëm betejë me të dhe me regjimin e tij.
Partia Demokratike që ka dalë nga kjo masakër jo më e vogël por më e madhe, jo më e dobët por më e fortë, jo me kokën ulur por si e vetmja forcë morale politike në Shqipëri, nuk ka rrugë tjetër, nuk mund ta tradhtoj Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk mund ta tradhtoj Fierin dhe fierakët. Ka vetëm një rrugë, rrugën e betejës. Betejës deri në fund për të rrëzuar regjimin. Që nga sheshet e Fierit dhe të Tiranës deri në parlamentin e uzurpuar nga pakica asnjë minutë paqe, asnjë minutë qetësi deri në largimin e regjimit. Themeluesit dhe qëndrestarët mes jush e dinë se çfarë do të thotë kjo. Ne vetë kemi qenë dëshmitarë të shpresës se 31 Marsi i ’91-shit do të ishte dita e fundit e komunizmit dhe dita e parë e demokracisë. Nuk ndodhi kështu por ne nuk u ligështuam.
Pavarësisht prej tronditjes ne u ngritëm fuqimisht dhe diktuam përmes zgjidhjes së drejtë politike zgjedhjet e pra demokratike dhe fitoren e demokracisë në 91-shin. Kjo është detyra e një force politike që ka lindur me vlera dhe i qëndron besnike vlerave. Kjo është forca jonë e vërtetë. Kurrë mos mendoni se mund t’i përgjigjemi krimit me krim, horrave me horra, blerjes së votave me blerje votash.
Kurrë mos mendoni se Shqipëria do të bëhet më e mirë nëse zëvendësojmë Edi Ramën me një horr më të madh, me një hajdut më të madh, me një kriminel më të madh. Forca jonë janë vlerat, janë qytetaria, por askush mos ta marrë për dobësi sepse për këto vlera e kemi treguar tashmë se jemi gati të shkojmë në betejë dhe tani që nuk ka mbetur më asnjë vijë e kuqe pa shkelur, kjo do të jetë beteja finale. Sepse ose do të bjerë Shqipëria dhe demokracia ose do të bjerë regjimi. Rrugë tjetër nuk ka.
Kësaj radhe pakica e kriminelëve e oligarkëve e politikanë ve të korruptuar me Edi Ramën janë mbivendosur dhunshëm shumicës ndaj shumica ka të gjithë të drejtën të kërkojë drejtësi për padrejtësinë e 25 prillit. Ndërsa ne jemi e vetmja forcë politike që kemi fuqinë dhe moralin, kemi të drejtën dhe detyrën ta organizojmë këtë shumicë drejt betejës dhe drejt përmbysjes së regjimit. Ndaj miqtë e mi për këto arsye sytë e shqiptarëve do jenë përsëri te Partia Demokratike e Shqipërisë këtë të diel, pasnesër, siç ka qenë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të historisë tonë sepse shqiptarët do të presin përgjigje nga 13 qershori për masakrën zgjedhore. Një përgjigje të saktë dhe të fortë për rënien e demokracisë, për pengimin e dhunshëm të ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse nga 13 qershori ne do të pranojmë kokë ulur padrejtësitë që rëndojnë mbi demokratët dhe shqiptarët, nëse do të pranojmë në heshtje apo me alibi modelin e Edi Ramës, të oligarkisë, krimit, pushtetit dhe shtetit bërë njësh, atëherë të jeni të sigurt që na pret një natë e gjatë e ngjashme me atë që lamë pas në vitin 1990-të falë kurajës së themeluesve tanë të lëvizjes së dhjetorit dhe atyre që qëndruan përballë diktaturës. Po unë e di që me 13 qershor nga Fieri do të buçojë fuqishëm përgjigjja, përgjigjja që presin shqiptarët. Ne do t’i themi jo masakrës zgjedhore. Ne do t’i themi jo hijes së diktaturës që po vërtitet përsëri mbi vend. Ne do themi jo pengmarrjes me dhunë shumicës nga pakica të bashkuar, siç u futëm në betejën e 25 prillit edhe më të fortë, edhe më të fuqishëm, edhe më të mëdhenj seç hymë në atë betejë, tani më me sytë e dëshpëruar të shqiptarëve që nuk kanë shpresë tjetër, ne do ti japim një përgjigje kumbuese çdokujt që ka vënë bastin se duke na përçarë, duke na çoroditur, duke na futur në mosbesim e në dyshim me vetveten e me njëri-tjetrin, mund të na shmang nga fokusi i vetëm, nga objektivi i vetëm i kësaj beteje që është rrëzimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe regjimit të tij.