Basha me të rinjtë e Elbasanit: Të ndalim të keqen

 

Kryetari i PD Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e Elbasanit. Gjatë takimit Basha u njoh me shqetësimet e të rinjve për tarifat e larta, nivelin e papunësisë, promovimin në poste drejtuese të personave me preçedentë kriminalë dhe nxjerrjen në rrugë të të rinjve të arsimuar, thuhet në një njoftim për shtyp të selisë blu.

Nga ana e tij, Basha ftoi të rinjtë që më 21 qershor t’i thonë me votën e bashkuar, pa dallim të majtë e të djathtë, ndal keqqeverisjes. 

“A është drejtimi i duhur për Elbasanin që fakulteti të ketë më pak studentë sepse nuk paguajnë dot tarifat e rritura? A është drejtimi i duhur për Shqipërinë që në muajin prill, numri më i lartë i azilkërkuesve në Bashkimin Europian të mos jenë më sirianët, por të jenë shqiptarët? A është drejtimi i duhur për Shqipërinë që papunësia rinore të kapë shifrën pothuajse 40%? Në qoftëse ky nuk është drejtimi i duhur, atëherë më 21 qershor, me votën tuaj duhet të jepni një mesazh të bashkuar, mesazhin e ndaljes së të keqes”, u shpreh Basha. 

Ai theksoi se, ndërkohë që vendi është zhytur në varfëri, qeveria ka prioritet investimet që nuk hapin vende pune por mbushin xhepat e qeveritarëve.

Ndërsa kandidati për kryetar të Bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku tha se prioritet i punës së tij do të jenë interesat e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Në programin e tij, Turku bëri të ditur se ka prioritet uljen e menjëhershme me 30% të taksave dhe reduktimin e informalitetit.

SHKARKO APP