Basha: Misioni im dhe i PD, çmontimi i oligarkisë
“Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel”.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel. Në qendër të bisedave që zoti Basha zhvilloi me drejtues të lartë të vendeve anëtare të BE ishte dhunimi i standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, të nënvizuara dhe në raportin paraprak të OSBE/ODHIR-it, Këshillit të Europës, SHBA dhe BE. Kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme Elmar Brook tha nëse gjysma e raportit të OSBE është e vërtetë, atëherë sipas tij, rrjedhimisht i bie që zgjedhjet janë të manipuluara dhe do e ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme te parlamentit europian.
“Ka një zhgënjim të jashtëzakonshëm për stadin në të cilin gjendet Shqipëria, si rezultat i prishjes së zgjedhjeve lokale nga shumica, përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale, angazhimit të krimit dhe bandave kriminale për të intimiduar zgjedhësit dhe për të mbështetur kandidatët e shumicës në shumë raste, përdorimit masiv të parave publike por edhe të parave të pista, të korrupsionit e krimit për të blerë votën e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht kërcënimit të votuesve, nëse nuk do votonin për kandidatët e shumicës, për humbjen e vendit te tyre të punës apo të afërmve të tyre, në rastet kur këta punojnë në administratën publike, raste këto të mirë dokumentuara nga opozita, nga PD, të bërë të njohura institucioneve ndërkombëtare.
Opozita shqiptare, PD ia ka dalë në rezultatin formal që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real, pa këtë makineri presioni të shitblerjes së votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë siç tregojnë edhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët” – theksoi zoti Basha.
I pyetur për deklaratën e kryetarit të komisionit të Punëve të Jashtme Elmar Brook, sipas të cilit nëse gjysma e konstatimeve të raportit të OSBE është e vërtetë, atëherë zgjedhjet janë të manipuluara dhe do e ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme, zoti Basha tha se çmontimi i këtij instrumenti të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe i tij si kryetar i saj.
“Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Sot apo nesër besoj do të jetë dita e fundit e përmbylljes së procesit të numërimit, në të cilin pavarësisht gjithë këtyre parregullsive, ne morëm pjesë dhe u bëmë thirrje numëruesve tanë të ishin të kujdesshëm në zbatimin e ligjit. Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel” – u shpreh lideri i opozitës Lulzim Basha.