Basha në Belsh: Rama gjobit bizneset e vogla dhe pasurohet vetë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënoi dhunën e gjobave ndaj bizneseve të vogla, me të cilat mbijetojnë shumica e familjeve shqiptare. Në një takim me strukturat e PD në Belsh, zoti Basha tha se dhuna e tatimorëve ndaj biznesit të vogël bëhet për të financuar Edi Ramën me disa klientë të tij milionerë.
“Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa, tarifa dhe gjoba sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Vetëm këtë javë, nga tenderi korruptiv për uniformat e policisë, 15 milionë euro zhduken në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga tenderi korruptiv monopolist për sistemin e ri të faturimit të biznesit, që nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale, i shtojnë me ligj një taksë të re deri në 100 euro biznesit. Këtë po e bën një kompani fantazmë, gjoja kroate, por, në fakt është kompania e keshilltarit kroat te Edi Rames dhe paratë do të ndahen me familjarët e kryeministrit.
Në qoftë se para 6 vjetësh raporti i OSBE thoshte që ka 200 milionë euro pasuri, akoma pa u ulur në karrigen e kryeministrit, imagjinoni tani! Tani është vërsulur me shpejtësi që t’i bëjë të gjitha këto grabitje të mëdha menjëherë, pasi e ndjen që po afron ora e fundit.”
Grabitja, vjedhja dhe hajdutëria e Edi Ramës është arsyeja pse Shqipëria është sot papunë, është arsyeja se përse gjendja ekonomike është sot më e keqja në dy dekada”, deklaroi Basha.