Basha në Fushë Krujë: Çdo vendin i kësaj qeverie është për klientët dhe kundër biznesit të vogël
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në Fushë Krujë se vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit të Edi Ramës në këto 6 vjet janë kundër biznesit të vogël, vendime të llogaritura për të pasuruar veten, familjen e tij dhe një grusht klientësh. Në një takim me strukturat e PD në Fushë Krujë, kreu i opozitës përmendi monopolin e ri privat që po vendos me ligj qeveria për faturimin elektronik.
“Hajduti psiqik i është vërsulur biznesit të vogël për t’i marrë edhe qindarkën e fundit me aferën e sistemit të ri të faturimit të biznesit, nëpërmjet të cilit do të nxjerrë jashtë përdorimit 140 mijë kasa fiskale dhe do të detyrojë biznesin e vogël t’i paguaje Olsi Ramës dhe këshilltarit kroat të Ramës 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Kjo zhvatje e re bëhet për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Hajdutit Psiqik, ndërkohë që oligarkëve u fali dividentin, bregdetin, naftën, mineralet, lumenjtë dhe pyjet.”- u shpreh zoti Basha.
Për të përforcuar mesazhin se politika e Edi Ramës nuk është në shërbim të interesit publik, kreu i opozitës, renditi disa nga aktet e kësaj qeverie në shërbim të pakicës me të cilën grabit. “Janë këta që votuan për t’i kthyer dividentin oligarkëve, janë këta që votuan mega-vjedhjen Milot-Balldren 15 milionë euro për km, janë këta që votuan grabitjen e Teatrit Kombëtar për 6 kullat 200 milionë euro të treshes Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës.”-tha Basha
Kreu i opozitës vuri në dukje se e gjithë ekonomia dhe pasuritë e vendit janë në duart e pak njerëzve përreth Edi Ramës.
“Janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin mundin, djersën, pronat e shqiptarëve në bashkëpunim me Edi Ramën. Nuk bëjnë asgjë për njerëzit e thjeshtë. Vetëm vjedhin me koncesione, me PPP, me tendera, me leje ndërtimi, me ligje special dhe me çdo mënyrë që munden. Ata nuk lejojnë asnjeri tjetër të krijojë, të konkurojë, të ndërtojë, të provojë.”- theksoi zoti Basha
Kryetari i Partisë Demokratike solli në vëmendje se grabitja, hajdutëria dhe shkatërrimi i Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë, që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin, janë shkaku kryesor për thellimin e varfërisë, papunësisë dhe mungesës së mundësive për pjesën tjetër të biznesit dhe të njerëzve të tjerë të zakonshëm. “Paratë tuaja, paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur.”- theksoi Basha në takimin e Fushë Krujës, ku vuri në dukje se kjo situatë ka marrë përgjigje të qartë më 30 Qershor. Shumica 85% “Rama ik” është shprehje e kurajos dhe vetëdijësimit të shqiptarëve se 30 qershori nuk bëhej për njerëzit. Bëhej për Edi Ramën, bëhej për Artur Bushin, bëhej për këta 5-6 oligarkë hajdutë grabitqarë dhe 5-6 kriminelë që kanë marrë peng gjithë shtetin.”- u shpreh kreu i opozitës, duke theksuar vendosmërinë e PD për t’iu përgjigjur mesazhit të 30 Qershorit.
“Prandaj, përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 Qershori përbën dhe një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim. Ndryshim në aspektin ekonomik, ndryshim në aspektin politik, për t’i dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin.”- u shpreh zoti Basha në takimin me strukturat e PD në Fushë Krujë.