Basha në KiE: Serbia përdoret si gurë shahu nga Moska. Hetim ndërkombëtar për s*lmin në Kosovë
Kreu i PD-së së vulës, Lulzim Basha i pranishëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka deklaruar se Shqipëria dënon ashpër sulmet terroriste, si në Kosovë dhe në Izrael. Ai tha se Serbia dhe serbët përdoren si gurë shahu në lojën e ideuar nga Moska, dhe se duhet një hetim ndërkombëtar.
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë ju ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit, për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014.
24 shtatori nuk mund të ndodhte pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Serbia ka nisur të realizoj idene e Botës Serbe. 24 shtatori, përpjekje për të detyruar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe rrëmbimit të territorit. Serbia dhe serbët përdoren si gurë shahu në lojën e ideuar nga Moska.
Nevojitet një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi më 24 shtator, sanksione kundër Serbisë. Shtetet anëtare të BE-së nuk mund të veprojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe të ushqejnë me paratë e taksapaguesve evropianë një makineri shtetërore që punon për destabilizimin e rajonit dhe mbarë Europës. Katër vendet e mbetura të NATO-s duhet ta njohin Kosovën, si një kontribut për paqen në Evropë dhe të hapin rrugën për përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, tha Basha.