Basha në Korçë: Vendit i duhen politika të reja zhvillimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në qytetin e Korçës, deklaroi se sot niveli i papunësisë tek të rinjtë është në shifra alarmante, ndaj vendit i duhet oferta e re e taksave të ulëta, e politikave të zhvillimit dhe e bashkëqeverisjes.

“Ndërsa të rinjtë e mirëarsimuar rendin rrugëve të Shqipërisë të pashpresë për një vend pune, qeveria promovon kriminelët”, tha Basha.
Plaga e madhe e të rinjve të papunë, vijoi kreu i PD-së, nuk mund të mos jetë prioriteti ynë numër një, por kjo qeveri nuk e njeh meritën dhe ky është problem i madh, sepse kjo është një ndër rrënjët e së keqes. Ndalja e së keqes dhe ekuilibrimi i pushteteve janë zgjidhja. Nuk është zgjidhje të largohemi nga Shqipëria”, u shpreh kryetari i PD-së.

Kandidati për kryetar të Bashkisë Korçë, Gjergji Mero tha se nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e biznesit do të jenë prioritetet e tij. Qindra biznese janë mbyllur në dy vjet, tha ai, ndërsa në Korçë lartësohej kulla e korrupsionit.

Mero premtoi se do të mbështesë çdo iniciativë private për hapjen e vendeve të punës, për të cilat ka nevojë Korça. 

SHKARKO APP