Basha, në Krujë: I thoni “Jo” kandidatëve të inkriminuar. 21 janari? Shpifje të ulëta

 

 

Partia Socialiste shpalli sot kandidatin e saj për Bashkinë e Krujës, por kur po diskutohet dekriminalizimi i Parlamentit, kreu i Opozitës Lulzim Basha nga qyteti muze deklaroi se e majta po përfshin në zgjedhje kandidatë me të kaluar të errët dhe që kërkohen nga drejtësia. Kur u shpall sot paradite kandidati socialit i Krujës, që përfshin edhe Fushë Krujën me Thumanën, kreu i opozitës Lulzim Basha gjendej në kalanë e  Skënderbeut.  Banorët, që zoti Basha i takoi rastësisht në rrugë apo pranë bizneseve të tyre, i janë ankuar për papunësinë, taksat dhe faturat e energjisë, që sipas tyre kanë pësuar vetëm rritje.  Dikush, duke u ankuar për papunësi dhe mbyllje dyersh nga autoritetet për t’i zgjidhur një problem të rëndë shëndetësor, përmendi sipas mënyrës edhe çështjen e kriminalitetit, diçka që nuk mund t’i shpëtonte kreut të opozitës.

Sipas kreut të opozitës, kryeministri Edi Rama ka kandiduar në Krujë deputetin e vet me të kaluar kriminale. –“Zoti kokaina ka probleme të hapura me drejtësinë italiane”, tha Basha. Gjatë javëve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike ka folur për një ofertë të re qeverisjeje të opozitës dhe, nga Kruja, Basha zbuloi pikat e para të programit. – “Të gjejmë zgjidhjet me dhe për ju. Për faljen pa dallim të kamatëvonesave abuzive dhe faturave aforfe për krutanët, e gjithë qytetarët e tjerë të vendit, që kanë rënë prè e këtij instrumenti të poshtër, të ulët të nënshtrimit ekonomik, në këtë kohë të vështirë krize. Për uljen e taksave”, – u shpreh Basha.

Partia Demokratike, ende nuk ka shpallur kandidatët e saj për zgjedhjet lokale, por zoti Basha vendosi tre kushte paraprake për secilin nga kandidatët, që do të firmosë kontratën me qytetarët e vet. – “E para, të mos ketë rekorde kriminale. Nuk pranon ky popull të udhëhiqet nga kriminelë, nuk pranon Kruja të udhëhiqet nga kriminelë. E dyta, të zotohet se asnjë taksë nuk do të rrisë në 4 vjet, të gjitha taksat do i ulë në maksimumin që lejon ligji. E treta dhe më e rëndësishmja, të zotohet që dera e tij apo e saj do të jetë e hapur 24 orë për qytetarët, hallet e problemet e tyre”, theksoi Basha. Situata nuk ndryshonte aspak në Fushë Krujë, madje aty, përveç papunësisë e rënies së konsumit, shtohej edhe pasiguria për rend

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cilëson si shpifje të ulëta, akuzat dhe padinë e Qeverisë ndaj tij. Kjo, sipas Bashës bëhet për të shkaktuar zhurmë politike dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit. 
– “Shpifjet dhe akuzat e lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet, nuk mund të heqin vëmendjen nga akti kriminal i djeshëm i hedhjes poshtë të amendamenteve tona për uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë. Çdo akrobaci, çdo përpjekje për t’i trajtuar si dele shqiptarët apo mediet e shqiptarëve, ka dështuar me turp. Ajo e djeshmja nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e dështuar për të ricikluar shpifje dhe akuza të vjetra dhe të lodhura, me vetëm një qëllim, që shqiptarët të harrojnë se Edi Rama dje, jo vetëm dështoi të mbante premtimin, por në mënyrë kriminale, kur ne i dhamë mundësinë e dytë ta mbante këtë premtim, e shkeli për herë të dytë, duke shkelur e poshtëruar edhe shqiptarët. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar, kostoja e rritur e ushqimeve, për shkak të rritjes së taksës së karburantit, do të vazhdojë të mbetet e lartë, sepse Edi Ramës ia ndien për hallet që po kalojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë. Ndaj, këto janë çështjet e vërteta që bashkojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë, të tjerat janë përralla të njerëzve të intoksikuar nga krimi, lidhjet me krimin dhe substancat narkotike që vetë shokët e tyre i denoncojnë ditë për ditë në hundët e tyre të pista”, deklaroi kreu i PD, Basha.

SHKARKO APP