Basha në Mallakastër e Tepelenë: “As hedhja e karriges s’i shpëton nga gjykimi më 21 qershor”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, në Mallakastër Agron Kapllanaj, në Memaliaj Sadik Xhelili, në Tepelenë Veip Çela, në Këlcyrë Gentjan Muhameti, në Përmet Niko Shupuli dhe Kolonjë Viktor Duro.
Qytetarët që iu bashkuan takimit me kreun e Partisë Demokratike treguan se jetojnë në një situatë të vështirë ekonomike. Mes tyre pati dhe nga ata të zhgënjyer nga mazhoranca.
Banor : “Jam i plagosuri i 21 janarit, më ka mashtruar. Më ka thënë do të përmbysim regjimin e Sali Berishës. Ky është regjimi i Sali Berishës, të më lërë pa punë? Ky është regjimi Sali Berishës që më premtoi? Ku është premtimi i tij? Turp e faqja e zezë! Këtu jemi mbledhur në një terror psikologjik. Nusja ime është kryetare e Këshillit Bashkiak nga Partia Socialiste për qytetin e Memaliajt, çunin e kam nënkryetar të FRESSH-it nga Partia Socialiste. Mesazhi im është: Mos gënjeni dhe mos mashtroni popullin shqiptar”.
Banor: “Siç kam vuajtur në kohën e Enverit, se po më ngjethen mishtë, ashtu po vuaj edhe sot me këtë qeveri”.
Kreu i opozitës Basha tha se të njëjtën situatë ndeshi edhe në Këlcyrë, Përmet dhe Ersekë. Ai u ka kërkuar qytetarëve të bashkohen për të larguar të keqe pasi kjo është zgjidhja dhe jo largimi i qytetarëve.
Banor: “Kam qenë anëtar i PS-së, jam vetë i gjashtë në familje, me dy pleqtë të sëmurë. Asistencën sociale na e preu PS-ja. Më premtuan për punë, do të punësojmë. Shkoj te kryetari i Bashkisë, punë s’ka. Shkoj te PS-ja, më thotë ja ku është mali shko mbill lule. Kam një çupë 8 vjeçe dhe nuk po i paguaj dot as 20 mijë lekshin mujor për kursin se nuk kam asnjë të ardhur”.
Basha: “Në qoftë se për ne këto dy vite në opozitë kanë qenë ashtu si për fat të keq i parashikonim, vite gënjeshtrash, vite dështimesh, vite mashtrimesh, vite të shtrëngimit të lakut në fyt për çdo qytetar. Për votuesit e majtë këtu në Kolonjë dhe kudo në Shqipëri dhimbja është e dyfishtë, është e dyfishtë sepse i kanë gënjyer, i kanë mashtruar, i kanë braktisur, u kanë marrë votën dhe i kanë poshtëruar më keq se votuesit tanë. Se njësoj si para 25 vitesh as hedhja e gurit, as hedhja e karriges, as hedhja e fajit diku tjetër nuk do t’i shpëtojë nga gjykimi popullor më 21 qershor“.