Basha në Mat, fushatë për kandidatin, Rizvani: Të ndalim gjëmat e qeverisjes

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin elektoral në Mat. Për gjashtë javë me radhë, tha zoti Basha  qeveria Rama-Meta është përpjekur me çdo instrument, t’ju mpijnë këtë padurim, për të larguar të keqen por fitorja e qytetarëve shqiptarë në 21 qershor nuk mund të ndalet. Ka ardhur dita, dita e madhe e vendosjes me votë, dita e llogarisë, dita e bilancit.

“Ne ju shohim në sy vëllezër e motra, ne kemi ndjekur problemet tuaja, ne kemi ndierë dhimbjen tuaj, dhimbjen që sëmbon në shpirtin e mijëra e mijëra kryefamiljarëve të papunë, të burrave që u dridhet buza para fëmijëve se nuk kanë të ardhura për të nxjerrë bukën e gojës, të grave kryefamiljare të cilat nuk kanë se si të mbyllin muajin, të qindra, mijëra të rinjve të pashpresë që i janë rikthyer emigracionit.

Këto janë gjëmat e qeverisjes Rama-Meta. Në kohë krize rritën taksat, këta e bënë, rritën faturat e energjisë në kohë krize, këta e bënë, këta ngritën kërbaçin dhe morën me pahir qindarkën e fundit, kacidhen e fundit nga xhepi i të pamundurve ndërkohë që i falën CEZ 600 milionë euro nga paratë tona, nga paratë tuaja.

Kanë rritur taksat, kanë rritur akcizat, kanë rritur çmimin e energjisë. Shqiptarët paguajnë sepse kanë ngritur kërbaçin, i fusin duart në fyt të pamundurve për 30 mijë lekë i çojnë në burg, i çojnë drejt vetëvrasjes por paratë nuk përfundojnë në arkën tonë. 150 milionë dollarë i mungojnë arkës sonë. Pse? Ju kemi paguar, shqiptarët kanë paguar por nuk ka asnjë qindarkë që të kthehet në vende pune. 150 milionë dollarë të taksave tona janë vjedhur, shpërdoruar nga oligarkia e babëzisë, oligarkia e korrupsionit, nga dyshja Rama-Meta dhe skorta e banditëve të tyre.

Me votën tonë të bashkuar, qytetarë të Matit, të djathtë e të majtë do t’i japin një mësim për t’u mbajtur mend mashtruesve që nuk mbajtën asnjë premtim por shkuan në drejtimin e kundërt. A e shikoni si bredhin nëpër Shqipëri e flasin për lloj lloj gjërash por asnjë fjalë për papunësinë, për varfërinë, asnjë fjalë për çmimet e taksat që kanë rritur.

Janë bërë gazi i botës duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët tanë. Pse na sulmojnë? Sepse u kujtojnë premtimet që dhanë para jush dhe nuk i mbajtën. Kanë alergji nga premtimet e tyre, kanë alergji siç kanë alergji gënjeshtarët nga gënjeshtrat e tyre por ora e llogarisë po vjen megjithatë. Bashkë me llogarinë që do japin para popullit, ata janë inferiorë sepse nuk kanë ofertë para jush, sepse në ishullin ku jetojnë jo vetëm që nuk kuptojnë e nuk ndiejnë problemet tuaja por nuk ofrojnë as zgjidhje për këto probleme” – theksoi zoti Basha.

Qeveria Rama – Meta nuk përballen dot me qytetarët që i kanë mashtruar dhe varfëruar. Ora e llogarisë po vjen tha zoti Basha, duke ftuar të gjithë banorët e Matit t’i bashkohen ofertës së shpëtimit të PD për ulje taksash, për ulje të çmimit të energjisë, stimulimin e bizneseve për të hapur vende të reja pune, subvencione për fermerët dhe ndihmë ekonomike për të pamundurit.

“Ju nuk dilni dot përpara popullit, se e dini që keni gënjyer. Por keni një shans të fundit për të korrigjuar politikën e lakut në fyt, sepse ky shesh dhe çdo shesh tjetër në Shqipëri, jua kanë thënë vendimin e tyre, shqiptarët do ta heqin lakun nga fyti, shqiptarët do t’i ulin taksat, shqiptarët do ta ulin çmimin e energjisë me votën e 21 qershorit.

Nuk ka më kohë për të pritur, nuk ka më kohë për të humbur. Në greminë po e çojnë ekonominë. Në greminë po e çojnë Matin, në greminë po i çojnë të djathtë e të majtë. Vetëm për veten e tyre janë në drejtimin e duhur. Për veten e tyre kanë ndërtuar dhe rindërtuar zyra, kanë ndërruar orendi, kanë ndërtuar vila e kanë vënë pasuri, por Shqipërinë e shqiptarët, familjet tuaja, ekonominë tuaj, e kanë çuar drejt greminës.

Ne do ta ndalim këtë marrëzi, do ta ndalim me votë, do ta ndalim më 21 qershor. Të gjithë së bashku nuk ka forcë që na ndalon, nuk ka forcë që na bllokon. Presionet ndaj aktivistëve dhe mbështetësve tanë nuk do të funksionojnë. Nuk do të funksionojë as emërimi i atyre që duhet të japin llogari për grabitje bankash në poste të larta në policinë e Burrelit. Policë të Burrelit, mos merrni urdhra të paligjshëm nga njerëz që duhet të jenë para drejtësisë, e jo me uniformë. Njihen me emër mbiemër, i njeh Partia Demokratike, i njeh Lulzim Basha, i njeh Uashingtoni, i njeh Brukseli, do të japin llogari ata, distancohuni prej tyre.

Le t’i japim pra thellësi fitores së Matit, le t’i japim frymën e entuziazmit që shoh në këtë shesh në çdo cep të kësaj krahine historike, le t’i themi kundërshtarëve tanë, votuesve të zhgënjyer të 23 qershorit, se për uljen e taksave, se për rritjen e rrogave, se për uljen e çmimeve ne nuk jemi kundërshtarë, jemi vëllezër dhe motra, bashkohuni me ne vëllezër dhe motra, bashkohuni me ne, ndaleni planin djallëzor të shkatërrimit të pushtetit lokal, ndaleni marrëzinë, hapini rrugët e të mirës o njerëz të mençur, votues të mençur të Matit e të gjithë  Shqipërisë!” – theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

SHKARKO APP