Basha: Në PD ka vend për të gjithë, por ne s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi në mbledhjen e Kryesisë së PD se në këtë parti ka mendime të ndryshme, por nuk mund të ketë vizione të ndryshme për mënyrën sesi Edi Rama vodhi zgjedhjet më 25 prill.
“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet cuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prilllin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë. Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalcifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore”,- tha Basha.
Burime nga mbledhja e Kryesisë tha se kryedemokrati Basha është shprehur se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo për një hajdut apo ortak më të fortë të bandave të Edi Ramës. “E di që është e vështirë, e di sepse e provojë në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurrë për një HAJDUT tjetër me te madh, apo një ortak me te zote te bandave dhe mafias”,- tha Lulzim Basha.