Basha në shtëpinë e vajzës që vdiq në Gjermani: Shkaktarët heshtin!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim basha ka qenë sot në shtëpinë e familjes haziraj në zonën e Kukësit, që humbi vajzën e saj 23-vjeçare Elën në Gjermani, që ndërroi jetë pasi u aksidentua fatalisht nga një tren.

E reja kishte shkruar për të kërkuar azil dhe bashkë me të ndodhej edhe i fejuari, i cili ka mbetur i plagosur.

“Jam sot këtu për t’i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Haziraj që humbi vajzën, Elën, 23 vjeçare në një aksident në Gjermani ku ndodhej bashkë me të fejuarin e saj, Saimir Gjokpalaj, të cilit i uroj shërim të shpejtë. Ela bashkë me Saimirin ishin nisur në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë pasi nuk kishin punë, nuk kishin shpresë, nuk kishin asgjë. Ishte vajza e madhe e një familje me katër fëmijë. Babain të punësuar si shofer në një ndërmarrje, herë me punë e herë pa punë. Nënën të papunë. Fëmija më i madh në një familje me kushte jashtëzakonisht të vështira si mijëra familje shqiptare dhe zgjodhi rrugën e largimit në kërkim të një jete më të mirë. Por ëndrra për t’i ikur mjerimit, varfërisë, iu këput në mes nga një aksident tragjik” – u shpreh kryetari i PD-së.

“Ngushëllimet, sado të sinqerta, nuk mund ta zbusin dhimbjen që ndjen kjo familje, të afërmit, miqtë e Elës. Por për nga shkaqet që e kanë shkaktuar këtë tragjedi, ajo në fakt është shumë më e madhe. Është një tragjedi kombëtare. Është drama e mijëra e mijëra shqiptarëve nga Kukësi dhe gjithë Shqipëria, të cilët largohen pasi kanë marrë borxh dhe kanë shitur çfarëdo pasurie që u ka mbetur sepse janë të papunë, të pashpresë”, – vijoi Basha.

Sipas liderit të djathtë “Shkaqet e kësaj tragjedie kombëtare kanë edhe shkaktarë. Ata rrijnë të heshtur, rrijnë indiferentë. Është e tmerrshme kur dëgjon dhe shikon qendrimin që shkaktarët mbajnë para kësaj tragjedie me përmasa kombëtare dhe tashmë me një dimension ndërkombëtar, siç e vërtetojnë shqetësimet e kancelarive perëndimore dhe të mbarë opinionit ndërkombëtar shprehur përmes mediave ndërkombëtare”.

Për kryetarin e opozitës “Indiferenca dhe qendrimi i shkaktarëve është tregues i përgjegjësisë së tyre. Përgjegjësi që vjen në radhë në parë nga pandjeshmëria ndaj halleve të njerëzve dhe problemeve të tyre, papunësisë, varfërisë, pamundësisë. Dhe eshte kjo pandjeshmëri qe prodhon në Kukës dhe gjithë Shqipërinë masa represive; kërbaç, taksa të larta që shkaktojnë edhe më shumë papunësi, edhe më shumë varfëri”.

Basha theksoi se “Kjo tragjedi kombëtare kërkon një përgjigje kombëtare. Një përgjigje kombëtare që vjen në radhë të parë duke identifikuar rrugët e daljes nga kriza që detyron shqiptarët të largohen masivisht nga vendi si asnjëherë më parë. Dhe së dyti, mjetet për të realizuar këtë plan shpëtimi. Mjetet që janë gjithmonë në dorë të njerëzve sepse në demokraci nuk ka masë që nuk zhvlerësohet nga forca e bashkuar e njerëzve. Nuk ka ligj që ti qendrojë forcës së bashkuar të njerëzve”.

Ai e mbylli fjalën duke bërë apel që “të qendrojmë përballë kësaj tragjedie kombëtare jo vetëm duke qendruar në krah të familjes Haziraj, por duke qendruar në krah të njëri tjetrit duke kërkuar dhe vendosur zgjidhjen e kësaj gjendje të papranueshme që largon bashkëatdhetarët tanë ditë për ditë nga shtëpitë e tyre, këtu e jo jashtë vendit, duke identifikuar shkaqet, duke marrë përgjegjësi për zgjidhjet, duke iu treguar vendin shkaktarëve”.

SHKARKO APP