Basha: Nesër protesta, nuk do lejojmë dyshen Rama-Meta të livadhisin sipas qejfit

Partia Demokratike përsëriti thirrjen ndaj qytetarëve për të fikur makinat për 5 minuta në orën 11:00 të së hënës, në shenjë proteste kundër çmimit të lartë të naftës. Sipas liderit të opozitës, Lulzim Basha “protesta e nesërme është hapja e një pranvere protestash të pandalshme masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisin sipas qejfit”. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha theksoi se ka ardhur koha që njerëzit të mbrojnë veten dhe t’i tregojnë qeverisë se nuk mund të luajë me fatet e tyre.

“Do t’i dërgojmë një mesazh të qartë qeverisë së pushteti është një e mirë publike, se ky vend ka nevojë për një qeveri të dijshme që përkujdeset për fatet e qytetarëve, jo për një qeveri që zhvat paratë dhe shton ankthin e tyre. Nesër do të ndalojmë makinat për 5 minuta kudo ku jemi. Përmes protestës do t’i tregojmë qeverisë se nuk mund të luajë me fatet e njerëzve. Vetëm në Shqipëri shqiptarët nuk përfitojnë nga uljet e karburantit në tregun ndërkombëtar. Ky njeri ka vetëm axhendën e interesave të oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon. Etja e tij për pushtet absolut politik dhe ekonomik është kundër çdo logjike zhvillimi dhe mirëqenie. Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Këtu rritet artificialisht. Dy herë në dy vitet e fundit qeveria rriti taksën e qarkullimit. Detyrohemi të paguajmë taksat Rama në çdo litër karburant që blejmë. Eshtë një krim që duhet ndalur.  Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. T’i tregojmë qeverisë që nuk e pranojmë më rritjen e taksave dhe arbitraritetin. Protesta e nesërme është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisin sipas qejfit. Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11:00 fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi. Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim antipopullor do të ndalet”- deklaroi Basha.

SHKARKO APP