Basha: Nuk do e pranojmë kurrë ndarjen e re territoriale
Partia Demokratike reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së saj që synonte anulimin e reformës territoriale. Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se opozita nuk do të njoh kurrë këtë ndarje territoriale.
“Harta territoriale Rama-Meta u ndërtua pa konsesus me opozitën, qytetarët dhe në kundërshtim me kriteret e rekomanduara nga institucionet vendase dhe të huaja. Kjo është tortë elektorale e ndarjes së Shqipërisë dhe PD-ja nuk do ta pranojë kurrë këtë ndarje. Ne do të marrim të gjithë hapat e nevojshëm për këtë hap jetik dhe duke u kujtuar atyre se, pronarë të këtij vendi nuk janë ata por janë qytetarët. Deri më tani janë 70 mijë firma për referendume lokale dhe PD-ja do të jetë në krah të tyre kundër kësaj maskarade”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Deklarata e plotë e kreut të PD
“Nuk jam këtu për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse nuk e kam bërë këtë dhe nuk do ta bëj kurrë, edhe pse kësaj radhe vendimi na u komunikua me Twitter nga Kryeministri Edi Rama.
Jam këtu për të përsëritur edhe njëherë qëndrimin tonë. Harta territoriale Rama-Meta u ndërtua pa konsensusin me opozitën, u ndërtua pa pyetur qytetarët, u ndërtua kundër frymës së bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirës të këshilluar nga institucionet ndërkombëtare, të pritur, të dëshiruar nga qytetarët, të kërkuar nga praktika më e mirë e 23 viteve.
U ndërtua në kundërshtim me kriteret e rekomanduara nga institucionet e specializuara vendase dhe të huaja për një qëllim të vetëm; sepse nuk është hartë reforme por është tortë e ndarjes elektorale të Shqipërisë. Partia Demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të pazareve të pista Rama-Meta dhe të thërrimeve për këdo tjetër që u ul në këtë sofër. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm politikë, institucionalë, demokratike, duke rivendosur sovranitetin e qytetarëve në këtë proces jetik që është ndarja territoriale e vendit; duke u kujtuar oligarkëve se pronarë të këtij vendi nuk janë ata, por është sovrani, janë qytetarët, të cilët janë shprehur, e do të vazhdojnë të shprehen.
70 mijë firma janë depozituar sot për referendume lokale që përfaqësojnë qindra mijëra qytetarë anembanë vendit për të cilët kjo hartë është e papranueshme, është në kundërshtim me interesat e tyre, është armike e interesave të tyre. Partia Demokratike do të jetë në krah të tyre, do të jetë zëdhënëse e fuqishme e zërit të tyre, përfaqësuese e interesit të tyre dhe drejtuese e protestës së tyre të drejtë dhe legjitime kundër kësaj maskarade”.
KOHA JONË SONDAZH

