Basha: Nuk mjafton “vër maskë e laj duart”, por çekun 1000 euro biznesit
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka vazhduar sot takimet me biznesin e vogël në Tiranë për të shpejguar Planin e PD-së për Rimëkëmbjes, i cili synon të ndihmojë shtresat më të goditura të shoqërisë me ndihmë financiare të drejtpërdrejtë këto gjashtë muaj.
Basha mësoi nga dy tregtare në rrugën e Durrësit se nuk janë paguar me të ashtuquajturën pagë lufte gjatë karantinës. Bashkia e Tiranës i ka refuzuar sepse sipas baskisë, nuk e kishin mbyllur biznesin në atë kohë!!! Dy pronaret e dyqanit të veshjeve ngritën pyetjen: Po kujt i shitëm në atë kohë ne?!
“Kur jeni ju në këtë gjendje në zemër të Tiranës, – u tha Basha, – merreni me mend se çfarë ndodh në periferi të Tiranës dhe qytete të tjera. Ndaj ne kemi propozuar 1000 euro një çek për të ndihmuar biznesin në këtë periudhë.
Ndaj ne kemi propozuar që çdo biznes i vogël të ketë një çek 1000 euro për të shlyer detyrimet minimale, kurse për ata që janë të papunë, 160 mijë lekë të vjetra sa për të mbajtur frymën. Nuk mjafton të thuash vër maskën, laj duart!”
Njëra prej pronareve të dyqanit tregoi për kolegen e dyqanit ngjitur. “Njëra nga shitëset, vajzë e re, që studion dhe punon, – tregoi zonja, – shet parfume me 4 mijë lekë në ditë. Dhe tërë ditën shet katër parfume, 16 mijë lekë të vjetra, aq sa kjo vajzë e re më thoshte “më vjen turp të marr rrogën”. Dhe unë e di se pronarja i ka paguar ato vetë, ka sakrifikuar për t’u dhënë rrogën.”
Basha ndërhyri: Unë e respektoj shumë sakrificën tuaj, se paratë që ju paguani kokërr më kokërr, ata i bëjnë rrush e kumbulla me tendera me pesëfishin e tregut, po ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur!”