Basha: Ora e llogarive me popullin po vjen
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ishte dje në një tjetër tur takimesh me qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll dhe Ersekë.
Basha pyet Ramën për kandidatin e Devollit: “…Po i them kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd, di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin?…”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll dhe Ersekë. Gjatë këtyre takimeve Basha tha se me ofertën e re të PD-së do të mundësohet hapja e vendeve të reja të punës. Duke dëgjuar disa nga shqetësimet e banorëve në takimet që ai zhvilloi, Basha theksoi se zgjidhja e vetme është ulja e taksave dhe e çmimit të energjisë.
“…Që të ndryshojë duhet të ulim taksat, çmimin e energjisë, çmimin e naftës se në kohë krize janë rritur të tria këto dhe e kanë pamundësuar biznesin që të punësojë njerëz…”, – u shpreh ai. Nga Devolli, kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit të dekriminalizojë politikën dhe administratën, ndërsa i ka adresuar disa pyetje për kandidatin e mazhorancës në Devoll. “Po i them kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin? Me gënjeshtra e trafiqe do ecë përpara ky vend? Ky vend do ecë përpara me Bledionin, me rininë, me të vërtetën,” – tha Basha.
Ndërsa në takimin e zhvilluar në Ersekë, kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar presionin që sipas tij po i bëhet kandidatit të opozitës. “…Po vjen ora e llogarive me popullin. Ku i kanë vendet e punës? Ku i kanë taksat e ulura? Ku i kanë çmimet e ulura? Me stilin e tyre tipik të një organizate kriminale kishin çuar para dy ditësh edhe ministrin të na kërcënonte kandidatin tonë, për një arsye të vetme.
Sepse e dinë që Viktor Duro është fitues me votën e të djathtëve e të majtëve…”, – tha ai. Ndërsa në Pogradec, Basha mori pjesë në prezantimin e platformës së kandidatit për kryetar bashkie, Eduart Kapri. “Për punësimin nuk flasin, për varfërinë nuk flasin, mendojnë se do ia hedhin, se në 21 qershor ju do të harroni që premtuan punësim e nuk sollën punësim por hoqën njerëz nga puna; që premtuan luftë ndaj varfërisë por sot mjerimi është pesëfishuar sipas vetë statistikave të qeverisë; që premtuan se do të ishin në krah të biznesit duke ua ulur taksat dhe sot ia kanë dyfishuar; se premtuan shëndetësi falas por sot na kanë sjellë korrupsionin me ilaçet. Edhe dy javë për të kthyer shpresën rikthyer vendin në rrugën e një të ardhmeje të sigurt, një ekonomie të fortë për të gjithë ju”, – tha Basha.