Basha: Pa çrrënjosur krimin nga politika dhe administrata, nuk ecim para
Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha priti në takim z.Johannes Hahn, Komisionerin për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, të Bashkimit Europian.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryetari Basha i shprehu Komisionerit Hahn mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që Komisioni Europian dhe Komisioneri Hahn i japin Shqipërisë për projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE. Zoti Basha e siguroi Komisionerin Hahn për angazhimin e plotë dhe pa rezerva të Partisë Demokratike në mbështetje të 5 prioriteteve dhe të çdo mase në funksion të anëtaresimit sa më të shpejtë të vendit në BE.
Komisioneri Hahn vlerësoi rolin e rëndësishëm që opozita shqiptare ka në këtë proces i cili duhet të jetë një proces gjithpërfshirës.
Duke u ndalur në situatën politike ne vend, z.Basha ndau me Komisionerin Hahn shqetësimin për hapat mbrapa përsa i përket standarteve dhe prioriteteve të integrimit.
Basha theksoi se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë në një luftë pa kompromis me krimin e lidhur me qeverine, i cili ka kapluar institucionet deri ne nivelin më të lartë të parlamentit, po agreson deri me dhunë fizike e kërcënime për jetën përfaqësuesit e opozitës shqiptare, për t’u mbyllur gojën dhe ka mbjellë një klimë terrori dhe frike duke intimiduar institucionet e drejtësisë, sipërmarrjen, gazetaret dhe median shqiptare, si asnjëherë më parë. Krimi i lidhur me pushtetin po e shtrin pushtetin e tij oligarkik duke monopolizuar ekonominë shqiptare dhe duke u pasuruar përditë me një korrupsion që po shpërthen në të gjitha anët e vendit.
Kryetari Basha nënvizoi se Partia Demokratike është e vendosur në këtë përballje pa kthim me krimin e veshur me pushtet dhe se nga fitorja e kësaj beteje me çdo cmim varet e ardhmja e demokracisë shqiptare. Në këtë kuadër, kryetari i PD informoi Komisionerin Hahn se Partia Demokratike ka përgatitur dhe do të propozojë në komitetin ad hoc për dekriminalizimin, një kuadër ndryshimesh të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit bazuar në modelet më të mira të vendeve të BE dhe SHBA me qëllim largimin e perfaqësuesve të botës së krimit nga parlamenti dhe administrata publike dhe për të garantuar se ata nuk do të mund të depërtojnë sërish në institucionet politike dhe qeverisjen e vendit.
Pa çrrënjosur krimin nga politika dhe administrata publike, Shqipëria nuk mund dhe nuk do të arrijë kurrë të ecë përpara me reformat e tjera prioritare për integrimin e plote në BE – perfundoi z. Basha.
Komisioneri Hahn i rikonfirmoi z.Basha mbështetjen e Bashkimit Europian në luftën kunder krimit dhe për implementimin e të gjitha reformave që Shqipëria duhet të ndërmarrë për ecjen përpara në rrugën e integrimit europian.