Basha paraqet programin për pronat: Pas 25 prillit, ndjesën për problemet e pazgjidhura do ta kthejmë në angazhime konkrete
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot programin për pronat. Lideri demokrat, teksa theksoi se ligji i kryeministrit Edi Ramës për shpronësimin është antikushtetues, shprehu një ndjesë publike në emër të PD-së, për problematikat e krijuara për këtë çështje.
Ai tha se pas 25 prillit, ndjesën për problemet e pazgjidhura të çështjes së pronave do e kthejnë në angazhime konkrete.
Basha shpjegoi me detaje të gjithë angazhimet e tij për procesin e kthimit dhe kompensimit real të pronave në Shqipëri duke e konsideruar ligjin Rama të vitit 2013 si një shpronësim të dytë të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri duke u zotuar për ta shfuqizuar atë.
“Të nderuar përfaqësues të pronarëve të shpronësuar, të shoqatave “pronësi me drejtësi” dhe shoqatave të tjera të pronarëve legjitim të pronave të shpronësuar gjatë regjimit diktatorial komunist, së pari më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim. Ky nuk është takimi ynë i parë, por është një stacion shumë i rëndësishëm pas një dialogu që ka nisur prej kohësh mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të përfaqësuesve të pronarëve legjitim të shpronësuar gjatë regjimit komunist. Qëndrimet tona kanë qenë të qarta dhe të prera për padrejtësitë e dyfishta që rëndojnë në kurrizin e pronarëve që prej vitit 2013. Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me parapaveprim të këtij ligji ç ‘njerëzor, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i vë një damkë të dyfishtë turpit të trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama. Damkën e parë sepse po i trajton edhe një herë pronarët legjitim si qytetarë të rangut të dytë, njësoj si gjatë diktaturës komuniste, dhe damkën e dytë të turpit se këtë po e bën jo thjeshtë dhe vetëm për motive të vazhdimësisë ideologjike, po thjesht dhe vetëm për arsye korruptive për të vazhduar zaptimin dhe tjetërsimin e pronave të pronarëve nga bregdeti në zonat urbane, nga zonat bujqësore në kullotat apo kudo tjetër dhe për të vazhduar sundimin e një grushti njerëzish, oligarkë i njeh populli, monopolist, ortak të këtij pushteti në kurriz të të gjithë qytetarëve. Të të gjithë qytetarëve pa dallime politike.
Ndaj, qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i prerë, dhe në nisje të debatit politik për këtë çështje, unë e kam thënë publikisht dhe dua ta përsëris sot edhe një herë publikisht, ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike. Edhe sikur disa prej gabimeve dhe shtrembërimeve dhe mosveprimeve mos të kishin ndodhur gjatë qeverisjes tonë, që në fakt kanë ndodhur gjatë disa viteve të qeverisjes tonë, prapë se prapë kjo do të ishte një ndjesë e merituar sepse ne ju kemi dalë zot dhe ne duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve politik.
Këtë ndjesë natyrisht e kemi shoqëruar me gatishmërinë tonë për të hedhur të gjitha hapat e nevojshëm politikë dhe pas 25 prillit ligjor dhe financiar për të korrigjuar dhe zgjidhur problemet e shkaktuar gjatë këtyre viteve dhe të akumuluara e të shumëfishuara gjatë qeverisjes së padrejtë dhe grabitqare të këtyre tetë viteve. Jam po kështu i vetëdijshëm se koha që ka rrjedhur jo vetëm që nuk i ka shëruar plagët por për vetë natyrën e plagës së pronës së tjetërsuar I ka bërë ato më komplekse, kurorat Brenda familjeve janë shtuar, proceset e lëvizjeve demografike kanë shkaktuar ndryshime qoftë të hapësirave urbane po kështu dhe atyre rurale. Ndërkohë që babëzia e pa kufi për të grabitur pronën e pronarëve legjitim nuk ka kursyer as majat e maleve e as bregdetin shqiptar. Po unë ju siguroj sot ju dhe të gjithë ata përfaqësues të pronarëve që nuk na ndjekin dot për shkak të masave anti-çova, jemi të detyruar ta bëjmë në një format të ngushtë, dhe çdo pronar shqiptar dhe çdo pronare shqiptare, se pas 25 prillit, qeveria e zgjedhur me votën tuaj dhe e kryesuar nga Partia Demokratike dhe unë, do të kemi vullnetin që ndjesën për problemet e pazgjidhura dhe problemet e shtuara ta kthejmë në angazhime konkrete me një plan konkret i cili do të nisë nga zbatimi menjëherë. Unë nuk kam marrë dhe nuk mund të marr zotime të parealizueshme apo të realizueshme pas 30, 40, apo 50 vjetësh por vetëm ato të cilat ne e dimë se me vullnet politik mund dhe duhet të kryhen, duke iu parë në sy dhe duke rakorduar bashkërisht, gjithçka, deri në finalizimin e secilit prej angazhimeve të parashikuara në planin tonë.”, tha Basha.