Basha pas takimit me FMN: 146 milionë dollarë planifikohen t’i jepen 13 oligarkëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat hodhi akuza ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar për thellimin e krizës politike dhe sociale në vend.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për mediat pas takimit me misionin e FMN-së në selinë blu.
Basha tha se FMN ka konfirmuar shqetësimet e ngritura nga PD që prej tre vitesh.
“Kemi ndarë me ta shqetësimin e krizës së thellë ku e ka zhytur kjo qeveri me dështimin e saj. Një ndër problemet kryesore është çështjes e qindra miliona dollarëve që në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, apo për rritje pagash, përfundojnë në duart e 13 oligarkëve. Në qoftë se buxheti që kanë planifikuar do të kalojë, përbën një vjedhje një makutëri të babëzitur, vjedhje të hapur të 146 milion dollarë, që planifikohen t’i jepen 13 njerëzve nesër për PPP e koncesione që quhen, se nuk janë në fakt. Kjo do të çojë në thellim të krizës dhe rritje të borxhit publik. Rruga për daljen nga kjo krizë është e qartë. Kjo do të coj në një thellim të krizës, qytetarët nuk kanë mundësi ti paguajnë, por do të rrisë borxhin publik. Lajmi i vetëm, i mirë që ndava me FMN është se opozita ka një plan për ta ndaluar dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Ne do të ndalim këto koncesione. Të rikthejmë paratë tek qytetarët, tek studentët, tek qytetarët, fermerët dhe tek biznesi i vogël. Do rikthejmë konkurrencën e vogël. Biznesi nesër do ta ketë në krah qeverinë për ta ndihmuar, jo siç e ka sot. Shqetësimi i tyre është se çfarë proçke do të na bëjë qeveria dhe sa gjoba do paguajmë sot për të mbijetuar. Me vizionin tonë, ne do t’i japim fund kësaj situate. Do vënë nën kontroll borxhin publik, i cili ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Takimin e FMN e konsideroj të frytshëm”-tha Basha.