Basha: PD votë unanime për SPAK-un
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) do të votojë të enjten me unanimitet në Kuvend projektligjin që parashikon ngritjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ndërkohë, qëndrimi i opozitës do të jetë kundër për pesë ligjet e tjera mbështetëse të reformës në drejtësi.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar bëri të ditur qëndrimin e demokratëve për seancën e nesërme, ku do të votohen ligjet prioritare të paketës kushtetuese.
“Falë qëndresës sonë ligji për SPAK-un është në përputhje me standardin që PD ka kërkuar që nga dita e parë. Saimir Tahiri dhe klanet e drogës, që sot kanë marrë goditje nga sekuestrimi i 20 ton drogë, Edi Rama, Ilir Beqja dhe Arben Ahmetaj, nesër nuk do e kenë ditën të mirë. Struktura që do te votohet do të jetë makthi i çdo qeveritari të lidhur me krimin. Qytetarët shqiptarë, që janë viktimat kryesore të korrupsionit, nesër do të kenë lajmin e mirë me votimin e SPAK, që do të jetë një aleat i fuqishëm i PD-se kundër korrupsionit”, deklaroi Basha për gazetarët.
I pyetur për ankimimin e ligjit të Vetting-ut në Gjykatë Kushtetuese, kreu i PD-së përsëriti argumentin se ligji eshte antikushtetues. “Ne presim që Kushtetuesja dhe Komisioni i Venecias të çmontojnë pjesët antikushtetuese të këtij ligji dhe kemi bindjen se kjo do të ndodhë”, u shpreh Basha. Por, shtoi ai, kjo nuk mund të na bëjë pjesë të lojës së Ramës për të penguar ngritjen e SPAK-t.
Për pesë ligjet e tjera mbështetëse të reformës kushtetuese Basha tha se opozita do të mbajë nesër në Kuvend të njëjtin qëndrim si me ligjin e Vetting-ut.
KOHA JONË SONDAZH

