Basha: Pranvera e protestave nis nesër, fikni makinat për 5 min

Kreu i PD, Lulzim Basha ka përsëritur edhe sot thirrjen për të dalë ditën e nesërme në protestë, duke fikur për 5 minuta makinat në shenjë proteste kundër çmimit të lartë të naftës.

Basha deklaroi se protesta e nesërmë është vetëm fillimi i një pranvere protestash.

“Ndryshe nga i gjithë globi, kryeministri rriti taksat duke shkuar thellë e më thellë në xhepat e shqiptarëve për të marrë edhe qindarkën e fundit. Etja e tij për pushtet absolut, politik dhe ekonomik është kundër çdo logjike zhvillimi dhe mirëqënie dhe po godet rëndë mbijetesën e njerëzve.

Po si mundet që Shqipëria të jetë jashtë çdo trendi botëror, e izoluar si në kohën e regjimit totalitar, e pandjeshme me çfarë ndodh në vendet fqinje, në rajon, në Europë dhe në mbarë botën. Si mundet që një kryeministër të bëjë krejt të kundërtën e asaj ç’ka duhet, lypset dhe kërkohet?!

Në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve, bëhet makthi i tyre i përditshëm, bëhet këmisha e forcës që po u merr çdo ditë frymën dhe oksigjenin.

Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës, ul çmimin e transportit, ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Qeveritë në mbarë botën luftojnë ta ulin çmimin e naftës ndërsa këtu rritet artificialisht.

Dy herë, në dy vitet e fundit, qeveria rriti taksën e qarkullimit. Mbi 60% e çmimit të naftës që paguajmë sot shkon në xhepat e qeverisë. Detyrohemi të paguajmë 1008 lekë taksat Rama në çdo litër karburant që blejmë. Kjo gijotinë në qafën e shqiptarëve me të ardhura 3 herë më të ulëta se mesatarja europiane, është një krim që duhet ndalur.

Kjo është mendësia që i sheh njerëzit si skllevër të qeverisë që nuk punojnë për veten e tyre, për familjet e tyre por për taksat e pushtetit. Produktet bazë të jetës shtrenjtohen jo nga tregu por nga taksimi i pandershëm i qeverisë. Rast unik në Europë – godet kriza por godet pa mëshirë edhe regjimi Rama-Meta.

– Një fjalë goje janë taksat për Ramën që tallet sa herë lajmëron rritje taksash dhe taksa të reja. Ju shoh që mbaheni, nuk keni vdekur, u thotë kryeministri sipërmarrësve.

– Një fjalë goje janë paratë për qeverinë por jo për qytetarët që paguajnë luksin qeveritar për çdo litër karburant që blejnë.

– Një fjalë goje janë për kryeministrin edhe fasha e energjisë, dhe rritja e çmimit të energjisë me 25 për qind;

– Një fjalë goje është edhe rritja e taksave dhe tatim fitimit me 50% që po shtyn biznesin drejt falimentimit.

Por këto nuk janë fjalë goje, por qindra mijë orë mundi dhe djerse të qytetarëve shqiptarë. Këto janë para që i merr pa djersë oligarku i “shtëpisë së gjetheve”, por i nxjerr me mundin e punës në shi, diell dhe të ftohtë, shqiptari i thjeshtë anembanë vendit.

Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. Erdhi koha t’i tregojmë qeverisë se nuk e pranojmë më rritjen e taksave, të çmimeve, të padrejtësive dhe arbitraritetit. Erdhi koha të marrim në dorë ndryshimin e vërtetë, të kthejmë vendin në rrugën e normalitetit.

Protesta e nesërme në oren 11.00 është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme, masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisë sipas qejfit. Nuk do t’i lejojmë të sundojnë sipas trilleve, me bandat e tyre kriminale e me stoqet e një korrupsioni të frikshëm që është instaluar në çdo zyrë publike.

Nuk do të jetë Shqipëria atdheu i padrejtësive ku i pamunduri vret veten në qeli se është lënë si kriminel vetëm për një debi energjie 35 mijë lekëshe, teksa debitoret 205 milionësh krekosen në parlament të mbrojtur nga dyshja Rama-Meta.

Nuk do jetë Shqipëria vendi ku qytetarëve të ndershëm u tregohen dhëmbët shtazarakë të pushtetit, ndërsa kriminelët e trafikantët e partisë ndajnë zonat e influencës dhe postet, ndajnë fitimet me dyshen Rama-Meta.

Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11.00 të fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi, të tregojmë dinjitetin e shqiptarit, forcën e shumicës për të mbrojtur familjen dhe vendin.

Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim anti-popullor do të ndalet.”, u shpreh Basha.

SHKARKO APP