Basha pret amerikanët në PD, Bujar Nishani: Kulmi i hipokrizisë
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha priti këtë të enjte në një takim në selinë blu delegacionin nga Senati Amerikan. Pas takimit, kreu Basha në një deklaratë për mediat tha se folën për situatën ku ndodhet demokracia në vend, si dhe bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama që Shqipëria vijon të jetë jashtë BE-së. Por ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, e ka quajtur kulmi i hipokrizisë dhe fyese për demokracinë amerikane dhe lirinë si dimension. Për Nishanin, kreu Basha është grabitësi më i shëmtuar i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.
Postimi i plotë
Deklarata e Lulzim Bashës pas takimit me përfaqësues nga Senati SHBA, ishte kulmi i hipokrizisë dhe fyese për demokracinë amerikane dhe lirinë si dimension.
Eshtë hipokrizi ekstreme, kur Lulzim Basha ju tregon shqiptarëve se ka denoncuar manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve prej Edi Ramës, ndërkohë L. Basha është manipulatori dhe grabitësi më i shëmtuar i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.
Kur L. Basha ju flet për standartet demokratike përfaqësuesve nga SHBA, ai fyen themelin e lirisë dhe dimensionin e demokracisë amerikane.
Në SHBA, asnjë nuk manipulon dhe grabit votat brenda partisë së tij, askush nuk asgjeson votën e lirë dhe të drejtën e kandidimit në partinë e tij, në asnjë rast nuk asgjesohet gara, për asnjë arsye vendimet nuk merren ilegalisht dhe në dhunim të institucioneve, siç vepron L. Basha sistematikisht brenda partisë së tij.
https://kohajone.com/senati-amerikan-ne-seline-e-pd-basha-tregon-3-ceshtjet-qe-u-diskutuan-gjate-takimit/