Basha pret të rinjtë e Partisë Popullore Austriake: Prioritet integrimi në BE
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka pritur në selinë e PD të rinjtë e Partisë Popullore Austriake. Basha ka folur për zhvillimin e rinisë shqiptare dhe perspektivën e Shqipërisë për t’u integruar në BE. Basha tha se integrimi në BE do u jap më shumë shanse të rinjve shqiptarë, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre europianë.
“Pata kënaqësinë të takohem me të rinjtë dhe të rejat e ÖVP, Partisë Popullore Austriake, simotrën e Partisë Demokratike. Ndava me ta vizionin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe veçanërisht të rinjtë që janë shpirti dhe forca e kësaj partie. Theksova prioritetin kryesor të PD-së, që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE, për t’u dhënë edhe të rinjve tanë shanse dhe mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre europianë. Edhe pse në opozitë, ne do të bëjmë gjithçka për të rinjtë që sot fatkeqësisht shohin emigrimin si të vetmen zgjidhje”, tha Basha.
Po ashtu Basha vlerësoi të rinjtë shqiptarë që shkëlqejnë në universitetet e huaja dhe shprehu mbështetjen e tij për të bërë gjithçka që ata të jetësojnë potencialin e tyre në ndërtimin e Shqipërisë Europiane.
“Jam krenar për të rinjtë shqiptarë që me aftësi dhe mençuri, shkëlqejnë në universitetet më të mira në botë, ndaj detyra për të cilën mbetem thellësisht i angazhuar, është të bëjmë gjithçka për t’i dhënë mundësinë kujtdo që dëshiron të arsimohet dhe të këtë mundësi të përparojë në jetë. Me mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë, do t’u mundësojmë të rejave dhe të rinjve, të jetësojnë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, e së bashku të ndërtojmë Shqipërinë Europiane”.