Basha prezanton Deromemajn për Bashkinë e Vlorës, i pranishëm edhe Dashamir Tahiri
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar në qytetin e Vlorës kandidatin e PD për bashkinë e këtij qyteti Genci Deromemaj.
Basha tha se për Vlorën, PD i ka besuar djalin vlonjat i cili do të dijë të administrojë punët dhe që do të marrë Vlorën nga duart e oligarkëve.
Gjatë prezantimit nuk munguan edhe shigjetimet për kandidaturën e së majtës për këtë bashki.
Basha tha se ka ardhur koha që t’i jepet fund arrogancës dhe paligjshmërisë së pushtetit e kjo duhet reflektuar me votën e 21 qershorit.
Ndërkaq kandidati Deromemaj u zotua për angazhim maksimal për të ndjekur politikat e Partisë Demokratike që është në funksion të qytetarëve.
Gjatë prezantimit të kandidatit të PD për Vlorën u vu re prania e deputetit të PDIU-së Dashamir Tahiri, ndonëse kryetari i partisë çame Shpëtim Idiriz ka firmosur marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje me PS.
Po sot demokratët zyrtarizuan edhe kandidaturën e koalicionit të djathtë në Bashkinë Memaliaj, Sadik Xhelili.