Basha prezanton Kosovën: Qytetarët kërkuan një mjek, jo një politikan
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zgjodhi qendrën e Tiranës për të prezantuar kandidatin e kësaj partie për Bashkinë më të madhe në vend.
Ai do jetë mjeku dhe deputeti aktual, Halim Kosova.
“Sot i jap zë një ndjenje konsensusi të përgjithshëm, që ka rrokur të madh e të vogël, të majtë e të djathtë, të një entuziazmi që i ka tejkaluar kufijtë e Tiranës.
Kam ardhur këtu në prani të figurave të nderuara të qytetit tonë, me një pjesë të të cilëve përfunduam një kafe miqësore, për të njoftuar një vendim që nuk ka ardhur vetëm nga gjiri i PD, por që buçet fuqishëm nga zëri i mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë folur e po flasin dhe me zërin e tyre kanë vendosur t’i besojnë qytetin e tyre një përqasje, një përkushtimi të ri, një përkushtimi që vjen duke zgjedhur një mjek, jo një politikan, një njeri që u ka shërbyer qytetarëve, njerëzve në nevojë si mjek, përmasat humane të të cilit sfidojnë çdo fjalë dhe tani bëhet gati të shërbejë si kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.
Duam një mjek, jo një politikan, thotë zëri i qytetarëve,” tha Basha.
Vetë Halim Kosova, i emocionuar, tha: “Ju falenderoj zoti Basha për atë që thatë për mua. Falenderoj PD-në që më besoi, falenderoj të gjitha strukturat dhe qytetarët që me mesazhe të panumërta. Nuk jam njeriu që nuk e di sa punë duhet për ndryshimin, por besoj se çdo njeri që duhet të përveshë mëngët që ta çojmë aty ku duhet Tiranën tonë të dashur.
Sapo lindi ky lajm i shëndetshëm, nuk më zuri gjumi. Në orën tre të mëngjesit më tha bashkëshortja se çfarë ke, i them që nuk paska qenë e thënë që të fle ndonjëherë qetë”.
KOHA JONË SONDAZH

