Basha prezanton programin: Vetëm 0.5% e xhiros vjetore, taksa për biznesin e vogël
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar mbrëmjet e sotme në emisionin “Opinion” në një bisedë me gazetarin Blendi Fevziu tregoi dhe arsyet se pse shqiptarët duhet të votojnë për alternativën e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm, e cila sipas Bashës është një platformë e hartuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.
Basha tha se programi ekonomik është një platformë që nuk premton çudira, por që ofron zgjidhje reale të situatës kaotike që po kalojnë sot shqiptarët.
Kryetari i Partisë Demokratike ka thënë gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se forca e tij politike është duke punuar prej dy vjetësh për një program realist ekonomik, në të cilin janë përfshirë ekspertët më të mirë në vend dhe ekspertë të njohur në botë.
Sipas Bashës, një ndër elementët bazë të këtij programi është taksa e sheshtë 9% për të gjitha të ardhurat personale, ndërkohë që një trajtim të veçantë do të ketë për biznesin e vogël, i cili do të paguajë vetëm 0.5% të xhiros vjetore dhe asnjë taksë tjetër.
“Prej më shumë se dy vjetësh PD është në një punë serioze për një program realist konkret për ta nxjerr vendin nga kriza. Janë disa nga ekspertët më të njohur në botë dhe ekipi im ekonomik që është ekipi më i mirë në Shqipëri që po punojnë. Është një proces që është fragmentuar sipas çdo sektori. Nuk ka premtime pr mrekulli, premtime fallco për 300 mijë vende pune, por ka zgjidhje konkrete”, tha Basha.
Ndërkohë i pyetur lidhur me rikthimin e taksës së sheshtë 9%, Basha u shpreh: “Taksa 9% është një angazhim tashmë. Nuk është premtim. Ky është programi i PD-së dhe taksa e sheshtë është element thelbësor i panegociueshëm”.
Ndërkohë, duke sqaruar më tej mënyrën e taksimit të të ardhurave personale dhe biznesit të vogël, Basha tha:
“300 mijë lekëshi është pa taksa dhe mbi 300 mijë leke taksa do të jetë 9% për të ardhurat personale, për tatimin mbi biznesin, për sigurimet shoqërore. Biznesi i vogël kemi një trajtim tjetër. Do klasifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë të vjetra dhe do paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore dhe asnjë lloj tatimi tjetër qendror ose lokal. E gjithë kjo pjesë e taksës do t’i dedikohet pushtetit vendor, por taksa të çmendura si taksa për shkollën apo tarifa të tjera që vjedhin qytetarët dhe biznesin, nuk do të ekzistojnë më”.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/994754650987401/
Lajmi në përditësim…