Basha: Protesta mbarëpopullore kundër rritjes së çmimit të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëron zhvillimin e një proteste mbarëpopullore, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe asaj që e cilësoi si situatë emergjence të rendit dhe sigurisë në vend. Pa përmendur një datë konkrete për zhvillimin e protestës së radhës, kryetari i opozitës tha se kjo “qeveri nuk e lufton dot krimin dhe zgjidhja përfundimtare është vetëm largimi i saj”. “Tani është radha e qytetarëve dhe bashkë me ta dhe radha jonë që tu përgjigjemi. Në protestën e ardhshme mbarëpopullore do të jemi dyfish e trefish më shumë në krahasim me protestën e 22 nëntorit.”- theksoi Basha.
“Emergjenca kombëtare ka të bëjë me qeverinë e dështuar, situatën e shthurur dhe jashtë kontrollit të krimit. Shpërthime me tritol në mes të Tiranës akoma pa autor, rrëmbim i personit në Fushë Krujë pa autor gjithashtu, grabitje me armë në mes të Tiranës, grabitje në Vlorë, tonelata droge që qarkullojnë drejt Europës, grabitje biznesesh dhunë dhe vjedhje. Krimi i shumëzon me zero sukseset imagjinare të qeverisë. Dhomat e paraburgimit dhe burgjet janë mbipopulluar nga njerëz të thjeshtë por bandat e krimit bëjnë ligjin, pushojnë kur të duan sulmojnë kur të duan. Nuk duan t’ja dinë fare a ka shtet, a ka polici, a ka qeveri? Në mbarë vendin ka pllakosur në epidemi vjedhjesh. sot kërkesave të qytetarëve për të drejta ekonomike u ka paraprirë kërkesa emergjente për rend dhe siguri. Bashkë me shqiptarët që jetojnë në ankthin e pasigurisë dhe pronës, bashkë me shoqërinë civile kërkojmë largimin nga qeveria dhe qeverisja e vendit të zyrtarëve të lartë të lidhur me krimin dhe bandat që plaçkisin vendin. Por kjo qeveri nuk e lufton dot krimin, zgjidhja përfundimtare është largimi i saj”- deklaroi Basha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Sipas kryetarit të opozitës, kjo qeveri mburret se ka kapur dajakun kundër njerëzve mehalle, ndërsa i ka dhënë dorën krimit.
Edi Rama i ka gënjyer dhe përqeshur qytetarët, duke rritur çmimin, ndërsa kishte premtuar uljen. Ka detyruar mijëra familje të paguajnë fatura abuzive dhe me kamatë. I ka poshtëruar dhe u ka treguar burgun. Vetëm kjo qeveri mburret se ka kapur dajakun kundër njerëzve me halle dhe puthet me krimin. Tani është radha e qytetarëve dhe bashkë me ta dhe radha jonë që tu përgjigjemi. Në protestën e ardhshme mbarëpopullore do të jemi dyfish e trefish më shumë në krahasim me protestën e 22 nëntorit.”- theksoi Basha.

SHKARKO APP