Basha proteston në Kavajë: Ora e drejtësisë po vjen për Ramën e Metën
Nga Kavaja, kreu i PD ka lëshuar apelin e radhës ndaj Metës dhe Ramës, duke bërë me dije se ora e drejtësisë po vjen. Basha në protestën e sotme u shpreh se e keqja i fut të gjithë në një thes dhe favorizon vetëm një grusht oligarkësh në krye të pushtetit.
Në fjalën e tij ai shtoi se të inkriminuarit janë në poste të larta dhe se banda më e fuqishme për momentin, dominon mbi bandat e tjera. “Ju i patë metodat e sigurimit të shtetit, shantazhe për të mbuluar të vërtetat. Rama-Meta grisën kontratën me qytetarët. Ne duhet ti kërkojmë me një zë të bashkuar Ilir Metës të ikë nga karrigia dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë, ndërsa Edi Rama të ndahet nga pazaret me krimin. Meta ik, Rama ik”, tha Basha.
Edhe një herë tjetër Basha nënvizoi se misioni i opozitës është pa kthim për dekriminalizim. “Votat e 21 qershorit është përgjigjja e vërtetë e popullit të mashtruar, që do kthejë pas mashtruesit. Ora e votës po vjen, ora e drejtësisë po vjen”, deklaroi Basha.