Basha: Qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme
Qeveri teknike, që do t’u hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ky është opsioni që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpalli sot publikisht para mbështetësve të opozitës, të mbledhur në protestë para mjediseve të Kryeministrisë.
“Nuk ka më pritje, pritja e mbaroi kohën e saj. Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre. Të largohen, të ikin! Kjo është zgjidhja. Nuk ka rrugë tjetër”, tha gjithashtu shefi i opozitës.
Sipas tij, qytetarët po zgjohen me fjalën “burg” që u fali kryeministri Rama në qeverisjen e tij 2-vjeçare.
“Kjo është zgjidhja që vjen nga vrasja e shpresës. Ç’janë këta që gënjejnë? Ç’janë këta që vjedhin dhe vetëm vjedhin? Duke u mburrur se po bëjnë shtet? Kur ata po bëjnë vetëm shtetin e tyre, një shtet ku ligjin e bëjnë narko-trafikantët”, apeloi mes të tjerash Basha.
Për të vijuar me akuzat e radhës ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, mes të cilave vjedhjet miliona-euroshe.
“Paratë publike, po i bëjnë rrush e kumbulla, po i ndajnë me njëri-tjetrin. Ta flakim Edi Ramën dhe bandën e tij hajdute. Të ikin, të shporren! Populli është fuqia supreme në demokraci. Ne duhet t’u tregojmë se ky është ligji i demokracisë. Ne nuk do të lodhemi, ky është fillimi. Ka nisur mosbindja civile. Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja, krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja. Zgjedhje të reja me rregulla demokratiike është zgjidhja. Na ka thirrur në këtë mision të madh 8 Dhjetori. Liri nga piramida e korrupsionit, është thirrja jonë. Ikni, largohuni, shporruni”, pohoi gjithashtu kreu i opozitës… (vijon)
KOHA JONË SONDAZH

