Basha: Qeveria rilindi kriminelët
Kreu i PD Lulzim Basha ka prezantuar ditën e sotme në Lezhë kandidatin e të djathtës Fran Frrokaj.
Ai ka përsëritur sot besimin se në 21 qershor populli do t’i japë përgjigjen e duhur dyshes Rama-Meta.
Basha deklaroi se ky qytet nuk meriton dhe nuk duhet të drejtohet nga Gjiri i Lalzit dhe populli do të ndëshkojë sundimtarët.
“Padurimi për ti dhënë përgjigjen e merituar dyshes Rama-Meta me 21 qershor vjen nga keqqeverisja dhe nga varfëria ku e kanë zhytur vendin.
Premtuan parajsën por e kanë kthyer vendin shumë prapa. Me arrogancën e tyre shtynë drejt vetëvrasjes kryefamiljarë.
Sot shumica e shqiptarëve marrin borxh për të siguruar bukën e fëmijës, mijëra familje kanë emigruar pasi nuk shohin asnjë shprese.
Te vetmit që rilindën janë kriminelët që u promovuan në postet më të larta dhe qeveritare që mbushën xhepat me lekët e shqiptarëve”, tha Basha.