Basha: Rama e ndau Shqipërinë në dy botë
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas protestës së bërë nga opozita ditën e sotme kundër rritjes së taksave dhe ndërtimit të parkut tek liqeni. Me një shënim të tijin në Facebook, kryedemokrati Lulzim Basha akuzon kryeministrin Edi Rama se e ka ndarë vendin në dy botë, atë të hajdutëve me Veliajn, Beqajt e Ahmetajt dhe atë të qytetarëve të thjeshtë.
“Edi Rama vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve që ka krijuar në vend. Në botën e tij gëlon shkelja e ligjit, e kushtetutës, vjedhja e korrupsioni. Në këtë anë, janë strehuar hajdutët që vjedhin dhe spyesin për askënd.
Në botën tjetër, janë qytetarët e pamundur, të cilët i kap ligji dhe represioni, edhe për një tjegull që vendosin në çati, edhe për një dritare që rregullojnë.
Në botën e Edi Ramës, është Erion Veliaj që shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, që ndërton aty kafe dhe restorant për interesa korruptive. Eshte Armando Prenga që pasi ka bërë kasaphanë me armë pa leje brenda komisariatit të policisë, sot shqyrton në parlament dekretet e Presidentit. Janë Beqët e Ahmetajt që po zhvasin çdo ditë miliarda me koncesione. Eshte Tahiri, kumbari i trafikut të drogës. Eshte Kokëdhima që sundon Jugun. Balla që kontrollon çdo emërim, licensë e tender nga Elbasani në Korcë. Një gjiriz i madh me shkelës ligji, me vjedhës, me të korruptuar.
Në botën e qytetarëve dhuna ndaj tyre shtohet çdo ditë. Burgu i pret të pamundurit, të cilët ndëshkohen pikërisht për varfërinë e tyre.
Kjo padrejtësi po çon cdo ditë në konflikt social. Këto dy botë nuk mund të pajtohen. E vetmja rrugë që i ka mbetur qytetarëve është të përballen me kampin e sunduesve të korruptuar. Të qëndrojnë përballë tyre. T’u rezistojnë me forcë dhunuesve, plackitësve.
Protestë, rezistencë, përballje. Kjo është rruga e qytetarëve. Ky është shpëtimi. Ndryshe vjedhja, korrupsioni, shkelja e ligjit, zhvatja e pasurive publike do të shtohen çdo ditë, do asfiksojnë vendin, do mbysin demokracinë”- shkruan kreu i PD-së në profilin e tij në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

