Basha: Rama-Meta fatkeqësi, më 21 qershor hapim rrugën e shpresës

 

Në tre takime të ngjeshura elektorale, kreu i opozitës ka prezantuar kandidatët për kryebashkiakë të Shijakut, Krujës e Vorës. Basha i ka kujtuar mazhorancës premtimet e pambajtura të 2013-ës, që shihen qartë përmes varfërimit dhe mjerimit ku jetojnë qytetarët.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, Fiqiri Ismailin në Vorë, Hamdi Pashën në Krujë dhe Redi Saraçin në Shijak.

Basha i kujtoi mazhorancës premtimet e mëdha me të cilat erdhën në pushtet në 2013-ën dhe që deri më sot nuk kanë mbajtur asnjë, përkundrazi erdhi si fatkeqësi për çdo qytetar.

Basha: “Premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan uljen e çmimit të energjisë, premtuan se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa.

Premtuan se fermerët do të paguanin çmimin e reduktuar të naftës dhe do të përfitonin subvencione për punën e tyre të lodhshme. Premtuan shëndetësi falas, legalizime falas dhe mosprishjen e asnjë objekti, sikur Enver Hoxha të ngrihej nga varri.

Braktisën një nga një premtimet e tyre dhe sot, në çdo shtëpi vepra e tyre, dora e tyre ndihet vetëm si fatkeqësi, si papunësi, si mjerim apo si burgosje e njerëzve të pafajshëm të cilëve nuk u ka lënë asnjë mundësinë për të shlyer detyrimet e tyre”.

Për kreun e opozitës zgjedhjet vendore të 21 qershorit janë rrugëdalja e shpresës për shqiptarët.

Basha: “Misioni ynë më i madh, misioni më i madh i të zgjedhurve vendorë të 21 qershorit është të hapim me votën tuaj rrugëdaljen, rrugëdaljen e shpresës”.

Qytetarët në të gjithë Shqipërinë, tha zoti Basha janë bashkuar rreth ofertës së re të Partisë Demokratike sepse  duan punë dhe dinjitet, duan një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre.

Basha: “Vërshimi juaj këtu është padurimi për të hapur së bashku rrugën e re, rrugën e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrugën e punës, rrugën e dinjitetit për çdo krutan, për çdo shqiptar”.

Sipas Bashës, vendi ka shkuar në drejtimin e gabuar dhe të vetmit që rilindën janë qeveritarët dhe kriminelët, ndërsa shtoi se qytetarët janë zhytur në varfëri dhe mjerim.

SHKARKO APP