Basha: Rama të ndajë mendjen, do reformë me Venecian apo me draftin e PS
Pas takimit me ekspertët ligjorë të PD, kreu demokrat Lulzim Basha tha se është e pafalshme që shumica ka ardhur në tryezë me një draft që nuk është ai i Venecias. Rama sipas Bashës duhet të ndajë mendjen nëse do të diskutojë ose jo mbi draftin e Venecias.
“Në vend të përqafimit të rekomandimeve të Venecias kërkon të bëjë By pass-in e rekomandimeve të Venecias. Pavarësisht përpjekjeve ekspertët tanë kanë vazhduar punën në tryezën e ekspertëve duke kërkuar reflektimin e rekomandimeve të Venecias. Më 4 janar tryeza ra dakord e tha nuk ka draft tjetër ndërkohë përsëri në mënyrë tinëzare dhe hileqare ka shpërndarë një draft që në fakt është parafabrikat i 29 Dhjetorit. Në këto kushte pyetja e vetme që duhet ti japë përgjigje Edi Rama është: Po Venecia apo jo!”,- tha ai.
Basha shtoi se “nëse po hapi i parë është publikisht të mohojë ekzistencën e një drafti paralel. Ai mund të jetë drafti I PS-së, ose i Fatmir Xhafës apo i Departamentit të Drejtësisë në PS por nuk mund të jetë kurrë një produkt konsensual. Hapi i dytë të lexojmë sëbashku konkluzionet e Venecias”,- tha Basha.
Ndërsa shtoi se “hapi i tretë është të punojnë mbi një draft të vetëm në kushte barazie të ekspertëve tanë dhe të ekspertëve të Edi Ramës: Sokol Sadushit, Genti Ibrahimit, Aurela Nastasit dhe çfarëdo ekspertësh të tjerë që janë të angazhuar dhe që deri tani janë mbajtur të fshehtë por në fakt janë sot e kësaj dite ekspertët e Edi Ramës dhe ne i mirëpresim. Këta janë ekspertët tanë. Unë nuk e fsheh. Dal para tyre dhe jo pas tyre. Të udhëzojë ekspertët e tij të zbatojnë rekomandimet e Venecias siç kam rekomanduar unë”.
Basha tha se mirëpriste çdo inisiativë të Presidentit Bujar Nishani për të ndihmuar në këtë proces. “Mirëpres çdo iniciativë të Nishanit për të ndihmuar në transparencën e procesit për të parë qartë se kush ka vullnet e kush jo. PD ka vullnet të çeliktë të reformës së drejtësisë dhe nuk do të lejojë kapjen e drejtësisë nga politika”,- tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

