Basha: Rilindja ka parullë “imja imja, e jotja e imja”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin me banorët e Selenicës dhe Himarës ka cilësuar se dyshja Rama-Meta po kërcënojnë qytetarët pasi nuk u ecën premtim-mashtrimet. Sipas tij, qytetarët përjetojnë të njëjtin nivel varfërie, madje jetojnë edhe më keq në njësi vendore që qeverisen nga të majtët.
“Tani që e dinë që nuk ja dalin dot me premtime se populli thotë prapë premtime, prapë mashtrime i janë kthyer kërcënimeve. Po nuk votuat për këta nuk ka bukë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka lekë. Këto dy vjet që kishin edhe qeverinë edhe bashkinë. A kishte punë? A kishte investime, a kishte kantiere të reja, a kishte zhvillim? Këta edhe kur i kanë pasur të dyja pushtetet e kanë bërë po aq keq, madje edhe më keq, siç më tha Jorgua i mençur në Himarë: Rilindja ka një parrullë – Imja e imja, jotja e imja”, tha ai.
Qytetarët i kanë shpjeguar kreut të opozitës situatën e rëndë ekonomike dhe abuzimin që sipas tyre po u bëhet me ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi te kufizuara.
"Unë jam Shefit Xhela dhe e kam djalin me raport. Sot më është hequr raporti. U thash komisionit mjeko-ligjor, për çfarë arsye? “S’dimë gjë, kështu është rregulli”. Si është rregulli të lutem? “Po ja, hidhe në gjyq.” Unë të ardhurat zero, si të hedh në gjyq unë? Të ardhurat zero po të them, jam 50 vjeç me tre fëmijë. Vajzën e pata me shkollë, s’pata mundësi, domethënë u bëra mëkatar i vajzës", tha njëri prej tyre.