Basha: Sali Berisha donte të kthente shtëpinë e lirisë në shtëpinë e Ilir Metës
Gjatë një takimi që ka zhvilluar me demokratët e degës 14 të Tiranës, Lulzim Basha u shpreh se e gjithë përpjekja e Berishës, me sulmet kundër demokratëve ishte për t’i dorëzuar Partinë Demokratike Ilir Metës.
Ndërsa për protestën e zhvilluar në 8 janar në selinë e PD-së, Basha deklaroi se i gjithë ai sulm ishte për ta kthyer shtëpinë e lirisë në shtëpinë e Ilirit.
“Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike! Rreth këtyre vlerave na janë bashkuar dhe të tjerë, edhe njerëz që jo domosdoshmërisht fillimisht e kanë parë shpresën tek Partia Demokratike. Sot po bashkohen edhe më shumë!
Jemi ne! Jeni ju! Është rinia! Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruar mua dhe jam i sigurt iu kanë shkruar dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruajtur edhe publikisht në facebook: ”Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë! Partia demokratike është e demokratëve! Partia demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar! E gjithë beteja, edhe sulmi dhe denigrimi që i është bërë demokratëve, drejtuesve dhe demokratëve të thjeshtë. Po deputeteve zonjave, anëtarëve të kryesisë, e gjithë kjo për çfarë ka qenë, për t’i dorëzuar PD-në Ilir Metës? E gjithë ajo skenë barbare e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve për çfarë paska qenë, që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit” – tha Basha.