Basha: Shifra të larta rastesh të reja dhe viktimash. Rama po fsheh tragjedinë (VIDEO)
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka nisur konferencën e shtypit me një denoncim për atë që po ndodh në seancën e Parlamentit.
”Dua të dënoj maskaradën e ministres së Shëndetësisë në këto momente në Kuvend, që po mundohet të mbulojë dështimin e Edi Ramës. E vërteta e shifrave të të infektuarve është fshehur dhe unë kam disa fakte nga rrethi i gjërë familjar. Po gënjejnë për numrin e vërtetë të viktimave dhe të personave të infektuar. Përmasat e vërteta të infeksionit po mbahet e fshehtë sepse Rama ka humbur kontrollin e menaxhimit të pandemisë”,-tha Basha.
Për keqmenaxhim të situatës së pandemisë dhe mosblerjen e tamponeve, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për “terrorizëm shtetëror”.
”Me mosblerjen e tamponëve, me mos hapjen e spitaleve, janë drejtpërdrejt personalisht përgjegjës për vdekjen e qytetarëve. Braktisja e vendit në këtë situatë është terrorizëm shtetëror. Të shtysh pafundësisht blerjen e tamponëve, të bësh zero ritestime është terrorizëm shtetëror. Zero vaksinime kundër gripit për grupet e cënueshme. Kjo nuk është më vjedhje, nuk është korrupsion, ky është terrorizëm shtetëror. Jeta e humbur e pacientëve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës”,-tha më tej Basha.