Basha shpjegon planin për rritjen e pensioneve: Angazhim konkret, jo premtime boshe
Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar takimin e tij me çiftin e pensionistëve Sula në Tiranë.
Basha thotë se qeveria aktuale nuk ka menduar t’u rritë pensionet, ndërkohë PD do ia rrisë me 2-fishin e normës së inflacionit, por jo më pak se 5% çdo vit.
Nga ana tjetër lideri i opozitës garanton se falë njerëzve si Gëzim dhe Lili Sula më 25 prill Shqipëria do të fitojë.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
U takova sot me dy pensionistë në Tiranë, Gëzim dhe Lili Sula dhe bisedova me ta për vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë. Ata më shprehën trishtimin që pensionet e ulëta që marrin nuk i lejojnë të bëjnë një jetë normale. Ilaçet janë të shtrenjta, faturat e energjisë dhe ujit u përgjysmojnë pensionin, çmimet e ushqimeve janë rritur shumë. Për 8 vjet qeveria nuk ka menduar për të rritur pensionet e tyre.
Bashkë folëm dhe për programin ekonomik të PD. I njoha me angazhimin dhe punën tonë të gjatë për të hartuar programin, i cili do të rrisë pensionet me 2-fishin e normës së inflacionit, por jo më pak se 5% çdo vit.
I sigurova se nuk po dëgjojnë premtime boshe, por angazhime serioze të mbështetura në plane të hollësishme pune.
Falë njerëzve si Gëzimi dhe Lili, më 25 prill Shqipëria do të fitojë.