Basha: Shqipëria po rrënohet

Shqipëria po shkon krejt në kahun e kundërt me ato që pretendon dhe deklaron kryeministri Edi Rama. Ky ishte thelbi i deklaratës për shtyp të Lulzim Bashës pak orë pas konferencës me gazetarët të kryeministri Rama.

“Mburret Edi Rama, por në Europë ka nisur debati për kthimin e regjimit të vizave sepse të dëshpëruarit janë shtuar në dyert e Europës. Çfarë bilanci është ky?! Në cilën fantazi të kryeministrit paska 104 mijë vende të reja pune, ku çdo ditë shqiptarët e shohin që po shkurtohen vendet e punës?!”, deklaroi Basha.

Basha tha se ka rënie të investimeve të huaja, dhe kundërshtoi Ramën edhe për konsumin.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Tha që është rritur konsumi, por TVSH, që është matësi më i mirë për ta treguar këtë, tregon të kundërtën.32 mln dollarë më pak nga janari i 2014-ës, ose 212 mln lekë më pak konsum se viti i kaluar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kreu i PD-së tha se qeveria nuk ka përmbushur as detyrimin ligjor; indeksimin e inflacionit. Në shëndetësi, vijoi Basha, situata është pak të thuhet skandaloze. “Çdo ditë vjedhje milionash me skema rimbursimesh, biznese dhe korrupsion edhe me jetën, me të sëmurët”, shtoi kreu i demokratëve.

“Zor se gjen sot një kryeministër që të sajojë me kaq dhunë një bilanc. Sot do të kishte qenë e udhës që Edi Rama të fliste për ndryshim kursi, për ulje taksash, por siç e dëgjuat asnjë fjalë për hallet e vërteta të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.

Deklaratën e kësaj të enjte të kryeministri Rama, Basha e cilësoi “qershi mbi tortën e madhe të gënjeshtrave”.

Duke u ndalur tek dekriminalizimi, Basha akuzoi edhe njëherë tjetër Ramën se po pengon qëllimisht këtë proces, “për të mbrojtur personat me të cilët ndan sofrën e pushtetit.

“Për të dënimi i Ndokës për prostitucion është një ngatërresë, Bushi është sajesë e medias së huaj, Elvis Roshi në zvicër është çështje emrash. Rama e di fare mirë kë ka ulur në sofrën e pushtetit, ndaj ka penguar dhe pengon, gënjyer dhe gënjen SHBA duke rrezikuar marrëdëhniet strategjike, sepse për të më strategjikë janë marrëdhëniet me kriminelët”, deklaroi Basha.

Në fund, kreu i demokratëve shprehu vendosmërinë  e opozitës për t’i shkuar deri në fund procesit të dekriminalizimit./Top Channel

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?