Basha: Shtimi i azilkërkuesve, vendi po ecën në drejtimin e gabuar‏

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar sot kandidatët për kryetar bashkie në Bulqizë dhe në Dibër, ku ka ndarë me banorët shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike që po kalon çdo familje shqiptare, e cila nuk arrin sipas tij të përballojë as nevojat më elementare në muaj.

Gjithashtu, Basha theksoi se asnjë premtim nuk ka mbajtur deri më sot kjo mazhorancë por e ka zhytur vendin në krizë. Teksa e vetmja alternativë e qeverisë në këto dy vjet, theksoi ai, janë gjobat dhe burgu.

 “Në dy vite, jo 300 mijë vende të reja pune por dhjetëra, mijëra vende pune ekzistuese u shkatërruan si rezultat i politikave të gabuara të taksave të larta, si rezultat i kërbaçit dhe gjobave mbi biznesin. Si asnjëherë më parë mbi 80% e shqiptarëve detyrohen të marrin borxh për të mbyllur muajin, ndërkohë listat e ushqimeve shtohen. 20 000 familje janë hequr me një të rënë të lapsit nga ndihma ekonomike. Kontroll –gjobë; kontroll –burg; burg kontroll dhe gjobë! Ky është realiteti i përditshëm”.

“ Vendi po ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar, – theksoi gjithashtu lideri i opozitës, duke iu referuar dhe rritjes së numrit të azilkërkuesve, – Shifrat vijnë duke u rritur çdo muaj. Në muajin prill, numri i azilkërkuesve në Gjermani është afro 5 mijë vetë, është më shumë se në muajin mars, çka tregon se gjërat po shkojnë keq e më keq”.

SHKARKO APP